Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka përkrahur vendimin e kryetarit të Partisë Demokratike për të lënë jashtë grupit parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respect”, thuhej në deklaratën e ambasadës të botuar sot në mëngjes. “Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara”.
Vendimi i kryetarit Basha, një ditë përpara hapjes së Kuvendit të ri, erdhi pas një kërkese gati të hapur të ambasadës se partitë politike duhet të mos mbanin në grupet e tyre individë të korruptuar apo të përlyer me abuzim pushteti.
Sali Berisha, figura më historike e Partisë Demokratike, u shpall persona non-grata në SHBA nga Departamenti i Shtetit disa muaj më parë, por ai gëzon mbështetje të gjerë dhe popullaritet në parti. Ai gjithashtu ka luajtur një rol personal në ngjitjen e Bashës në politikë madje edhe në zgjedhjet për kryetar partie.
Vetë Berisha ragoi ashpër duke paralajmëruar ndëshkim për Bashën për shkak të përjashtimit. Ai tha se vendimin duhej ta kishte marrë kongresi i Partisë.
Disa deputetë dhe shumë militantë të PD-së kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dje në media dhe rrjetet sociale.
Mirëpo, Ambasada e SHBA-së është radhitur hapur në krah të kryetarit Basha dhe ka theksuar rëndësinë e PD-së për Shtetet e Bashkuara dhe miqësinë shqiptaro-amerikane.
“Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, thuhej në deklaratën e ambasadës. (Illyria)