Ambasada amerikane: Vizita e z. Baker e forcoi partneritetin SHBA-Kosovë në fushën e mbrojtjes

Prishtinë, 4 gusht 2025 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e ka vlerësuar vizitën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Mbrojtjes, David Baker, në Kosovë si kontribut për formimin e partneritetit mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes.

Në një postim në profilin e saj në Facebook, ambasada amerikane i vlerëson edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit Kosovë – SHBA në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon.

“I falënderoj Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes David Baker dhe Gjeneral Brigade Chris McKinney për vizitën e tyre në Kosovë, ku u takuan me Presidentin Osmani, Kryeministrin në detyrë Kurti, ministrin e Mbrojtjes Maqedonci, Komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtnant Jashari dhe Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani. Ata e vizituan edhe Kampin Bondsteel dhe u takuan me personelin ushtarak amerikan. Gjatë gjithë vizitës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Baker forcoi partneritetin SHBA-Kosovë në fushën e mbrojtjes dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes dhe stabilitetit rajonal. #Më të fortë dhe më të sigurtë”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se në takimin me z. Baker është diskutuar për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë.

“Në kontekstin e dinamikave globale, diskutuam mbi sfidat e sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Theksuam përparimin e rëndësishëm që është bërë që nga takimi ynë i fundit, sidomos në lidhje me iniciativat e bashkëprodhimit me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, një sektor që njihet për potencialin e tij të konsiderueshëm për rritje”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

(r.m.)