Ambasada e SHBA-së e mbështet propozimin e Ramës për “reformë të re” kundër korrupsionit

Tiranë, 8 maj 2024 – Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama propozuan të martën një draftrezolutë për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Në lidhje me këtë nismë të ndërmarrë nga qeveria ka ardhur dhe reagimi i parë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në një reagim të dhënë për Euronews Albania, zyra e shtypit të ambasadës e cilëson propozimin si premtues, duke e mbështetur atë.

Ambasada amerikane thekson se nxit pjesëmarrjen e të gjitha palëve në këtë proces dhe shton se po pret me kënaqësi rezultatet e para.

“Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe anti-korrupsionin është premtues. Si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme ndërkohë që bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike. Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

(euronews.al)

Comment

*