Prishtinë, 16 gusht 2025 – Të premten në Prishtinë u bë pranim-dorëzimi i një kontigjenti të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, nëpërmjet një postimi në Facebook, njoftoi të shtunën se Forcës së Sigurisë së Kosovës iu dorëzuan 50 automjete të blinduara. Në postim thuhet se ky është një hap tjetër “në angazhimin e përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e sigurisë së të dy kombeve tona”.
“Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë t’i transferojnë 50 Automjete të Blinduara Sigurie (ASV) Qeverisë së Kosovës… Kosova, duke përdorur burimet e saj mbrojtëse, do t’i sjellë këto automjete në kapacitet të plotë operacional, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e sigurisë së të dy kombeve tona”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Kosovë.
Të premten, ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës “vazhdon të fuqizohet me teknologji dhe me mjete të avancuara për të garantuar realizimin e misionit të saj kushtetues”.
Ai theksoi se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës pa mbështetjen e paertnerit strategjik të Kosovës – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”, ka shkruar ai.
Maqedonci ka thënë të dielën se me investimet në blerje ushtarake, Kosova po e forcon ushtrinë dhe “po bëhet garanci më e fortë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorialitetit të vendit”.
“Forca [e Sigurisë së Kosovës] jonë bëhet më e ndërveprueshme me aleatët tanë, rrugës për në NATO”, ka theksuar Maqedonci.
(r.m.)