Tiranë, 21 nëntor 2023 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë.
Në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës, për një koment mbi këto zhvillime, të cilat prej disa javësh e kanë bërë të pamundur aktivitetin normal të organit ligjvënës të vendit, ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”.
Ambasada nënvizon më tej se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.
Edhe ambasada britanike po ashtu ndan të njejtin shqetësim. Në një deklaratë të shpërndarë pasdite, ajo i bën thirrje shumicës dhe opozitës “të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës”.
“Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e ambasadës Britanike në Tiranë.
Lidhur me tensionet në seancën e fundit të Kuvendit ka reaguar edhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner.
“Qytetarët e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti”, ka thënë ai.
“U bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve”, ka theksuar Bergner.
Deputetë të opozitës e kanë pamundësuar mbajtjn e seancave plenare, si edhe punën e komisioneve parlamentare, në shenjë proteste ndaj refuzimit të kërkesës për ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga deputetët e djathtë.
Seanca e djeshme plenare, në të cilën shumica e miratoi në parim Buxhetin e shtetit për vitin 2024 zgjati më pak se 5 minuta, për shkak se disa deputetë opozitarë e pamundësuan debatin, pas i përmbysën disa karrika para foltores dhendezën flakadanë tymues në sallë.
(r.m.)