Prishtinë, 2 shkurt 2026 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Anëtarët e KQZ-së i miratuan listat e deputetëve të zgjedhur të të gjitha partive, përveç atyre të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan për miratimin e listës së kësaj partie, dy anëtarë – të dy nga Lëvizja Vetëvendosje – votuan kundër, kurse anëtarët tjerë abstenuan nga votimi.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pas votimit, e cilësoi si “të pakuptimtë” mosmiratimin e listës së deputetëve të zgjedhur të Listës Serbe.
Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, u bë pas përfundimit të procesit të rinumërimit të plotë të votave. Vendimi për rinumërim u mor pasi gjatë procesit të numërimit të pjesshëm u konstatuan mospërputhje të votave të kandidatëve për deputetë.
Palët kanë të drejtë të ankohen në Panelin e Ankesave dhe Parashtresave (PZAP dhe në Gjykatën Supreme të Kosovës. Pas përfundimit të vendimarrjes në këto dy nivele, KQZ mund t’i certifikojë rezultatet dhe t’i hapë rrugë procesit për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje e mbron me këmkëmbëngulje qëndrimin e saj se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e Beogradit” në Kosovë. Ndër të tjera, kjo parti e akuzon Listën Serbe se nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili e ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçavnit, në shtator të vitit 2023.
(r.m.)