Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, arrin në vizitë dyditëshe në Kosovë

Prishtinë, 21 prill 2026 – Përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, ambasadori Matthew Whitaker, ka arritur të martën në Kosovë.

Në fillim të vizitës, ambasadori Whitaker është pritur në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë nga e Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati.

Ambasada ka thënë se vizita e ambasadorit Whitaker në Kosovë është “një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së”.

Ambasadori Whitaker është takuar të martën edhe me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozgan Ulutash.

Sipas njoftimit të KFOR-it, në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe kontributi i KFOR-it për të ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Gjenerali Ulutash i ka thënë se KFOR-i “vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

Ai e ka vlerësuar kontributin e gjatë dhe të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në këtë mision.

Gjatë vizitës në Kosovë Përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në NATO do të takohet edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin Albin Kurti. 

Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s. SHBA e përkrah këtë aspiratë të Kosovës, por për anëtarësimin e saj në këtë aleancë duhet të pajtohen edhe katër shtete anëtare që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vendin që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

SHBA-ja e ka mbështetur shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga forcë të emergjencës në ushtri, ndërsa NATO kërkon që FSK-ja të përmbahet nga aktivitetet ushtarake.

Kosova do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e Bordit të Paqes, të themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me qëllim ruajtjen e paqes në botë.

Të hënë, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu, e autorizoi dërgimin e FSK-së në operacion ndërkombëtar paqeruajtës në Gazë. Ajo tha se Kosova, e cila dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, “tani merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, tha ajo.

(r.m.)

Comment

*