Amb.Dinosha tregon si u përmirësuan marrëdhëniet shqiptaro-malezeze dhe ndihmën amerikane (zë)

Intervistë e ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri, Ferhat Dinosha dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara dhe radiove “Kosova” të Radio Televizionit të Kosovës

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Zoti ambasador Dinosha! Ju falenderojmë për kohën që gjetëtë në këtë bisedë me gazetën “Illyria” të shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara, me radiot “Kosova” të Radio Televizionit të Kosovës dhe me gazetën “Albanian Daily News”.

-Ferhat Dinosha: “Mirësevini! Ju falënderoj për interesimin që keni shprehur”!

-Zoti Ambasador! Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe malazezëve kanë qenë problematike në të shkuarën. Çfarë përfaqëson sot një ambasador shqiptar etnik nga Mali i Zi në Shqipëri?

-Ferhat Dinosha: “Ambasadori zakonisht përfaqëson interesat e shtetit nga vjen në shtetin ku e dërgojnë dhe kështu është rasti edhe me mua.
Natyrisht që përfaqësoj interesin shtetëror të Malit të Zi në raportet me Republikën e Shqipërisë.
Por, dua të them diçka edhe lidhur me atë që ju e konstatuat me të drejtë se raportet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, nuk kanë qenë gjithëherë ato që janë sot.
Për arsye se sot besoj se mund të vlerësohen të mira. Mund të thuhet edhe “të shkëlqyera”, sidomos raportet politike.
Përmirësime mund të ketë natyrisht gjithmonë, sidomos në fushën e ekonomisë në përgjithësi.
Por, në kohët e fundit zhvillimet demokratike qysh prej shembjes së komunizmit edhe këtej, edhe në Mal të Zi, edhe në Shqipëri, kanë ecur në atë mënyrë që nuk e kanë penguar njera-tjetrën. Këto shtete nuk e kanë penguar njeri-tjetrin.
Mua më kujtohet… Më nxorët me pyetjen tuaj një rast të qëndrimit të Bardhit të letrave shqipe, Ismail Kadaresë në Podgoricë. Në një darkë me të isha edhe unë. Dhe, paraprakisht kishte patur një bisedë më të gjerë për opinonin. Por, gjatë darkës pranoi që të kishte ndonjë pyetje. Një ndër ata që do po pyeste diçka isha edhe unë.
Me, pyetjen se, si i vlerësonte Ismail Kadare marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve në kohën e pluralizmit me theks të veçantë në vlerësimin e tij për marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve.
Dhe, përgjigja e tij ishte, po e perifrazoj, po besoj se do jam i saktë, që thotë: “Sllavët nuk kanë dashur ne historikisht. As ne nuk i kemi dashur sllavët. Por, diçka që në kohët e fundit po ngjan ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve absolutisht rrëzon këtë tezë timen.
Dhe, unë dua të uroj të të gjithë ata që kanë ndikuar në atë që marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve të jenë ato që janë për arsye se janë shembull i mirë për marrëdhëniet fqinjësore në Ballkanin, që është quajtur ashtu si është quajtur, i cili akoma në ndonjë element mund t’i përngjajë vetes së vet.
Por, janë shpresat, janë hapat konkretë që flasin se edhe ky Ballkan mund dhe duhet të jetë pjesë e Europës nesër.
Pra, në këtë rrugë raportet ndërmjet Pogdoricës dhe Tiranës janë shembull i mirë dhe unë ndjej kënaqësi të them edhe krenari, nëse edhe veprimi im politik, në skenën politike të Malit të Zi, kanë ndikuar që këto raporte të jenë më të mira se ç’kanë qenë në të shkuarën”.

-Ndoshta qenia Juaj shqiptar na bën pak subjektiv për të shtruar një pyetje që lidhet me interesat e shqiptarëëve, por njëkohësisht me interesat e shtetit malazez. Mundet Shqipëria të përdorë, unë po e them në thonjëza, ndonjë lloj “kushtëzimi” për Malin e Zi në NATO në këmbim të respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve? Kjo, është një zgjidhje në kohët e sotme?

-Ferhat Dinosha: “Mali i Zi është futur në implementimin e standardeve demokratike europiane sa u përket të drejtave të pakicave nacionale në një shtet shumënacional siç është Mali i Zi.
Absolutisht edhe pa kushtëzime në relacionet Tiranë-Podgoricë, Mali i Zi është futur në vazhdën e përmirësimit të pozitës së pakicave nacionale, pra edhe të shqiptarëve në Mal të Zi.
Unë dua t’ju them që në fund të viteve të 90-ta tashmë të shekullit të shkuar, dikush i cili edhe sot u prin procesve demokratike në Malin e Zi, po fliste kundër politikave të diktatorit Sllobodan Millosheviç.
E bënte atë si njeri me politika të së shkuarës dhe po fliste për nevojën e rrugsë së pavarësisë për Malin e Zi.
Ky ishte kryeministri Milo Gjukanoviç. Kryeministri aktual i Malit të Zi, me të cilin deri në atë nuk kishim patur si parti shqiptare shumë bashkëpunime.
Por, me një ndërrim të kursit politik të tij, ne po sogjonim se ç’po ndodhte, se a ishte ko e vërtetë, që po dëgjonim nga njeriu që deri në atë kohë kishte qenë në bashkëpunime politike me Beogradin?
Po dilte se kjo punë ishte serioze dhe partia ime, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, unë si deputet i kësaj partie në parlamentin e Malit të Zi, po fillonim të shihnim se si do të mund të krijonim një partnerizëm me këtë person, me partinë e tij, me ato parti që do të jenë të interesuara se do të përkrahnin rrugën e pavarësisë së Malit të Zi.
E dinim se kjo rrugë nuk do të ishte e shkurtër, s’do të ishte as e lehtë.
Por, absolutisht hap pas hapi po vërtetohej që kjo rrugë është e përnjimendtë, është serioze dhe krijohet një bllok i partive që do të përkrahnin më vonë pavarësinë.
Ndër to është edhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe një parti tjetër shqiptare, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, e cila ishte themeluar përpara Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
Në vitin 1997 nënshkruhet një marrëveshje në mes partisë së zotit Gjukanoviç me disa parti të tjera malazeze, shtetërore t’i quaj ashtu, si dhe me partitë e pakicave ku ishin dy parti shqiptare dhe partia e boshnjakëve.
Procesi vazhdon. Pavarësia nuk ndodh menjëherë siç thash, sepse nuk pritej që të ndodhte menjëherë.
Pavarësia ndodh në vitin 2006. Mali i Zi i pavaruur dëshmohet si shtet që do të ishte më vonë i gatshëm të mos kishte probleme me realitetet e reja ballkanike.
Pavarësia e Malit të Zi do të ishte mirë besoj më vonë edhe për një pavarësi tjetër, sidomos të një pavarësie që na interesonte të gjithë shqiptarëve, pra edhe shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe, fjala është natyrisht për pavarësinë e Kosovës.
Mali i Zi i pavararur pas kapjes së pavarësisë së tij tregon gatishmërinë që të njihte edhe pavarësinë e Kosovës që ngjau 2 vjet më vonë.
Këto rrjedha na kanë bindur si parti politike shqiptare dhe mua si person që e ka pasur veprimin e vet kryesisht brenda kësaj partie.
Kryesisht them, kryekëput derisa fillova të merrem me këtë punë që merrem sot.
Mendoj që ka qenë absolutisht e leverdisshme që të krijohej partnerizmi me partinë e zotit Gjukanoviç, sepse ky ishte i vetmi njeri në Malin e Zi që kishte shpatulla të bartte përpara procesin e pavarësimit të Malit të Zi dhe proceset demokratike në përgjithësi në Malin e Zi.
Pra, ky njeri që në vitin 1998 ofertoi që shqiptarët të kyçeshin në qeverinë e Malit të Zi dhe në vitin 1998 formohet ministria për të Drejtat e Pakicave Nacionale në Mal të Zi dhe që është shteti i parë në Ballkan me një ministri të tillë. Më duket se edhe sot nuk ka shtete në Ballkanin Perëndimor që të kenë ministri të tillë.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve, pra partia të cilën e kam, udhëhequr në dy mandate, ka dhënë për 14 vjet ministrat në krye të kësaj ministrie.
Sot nuk është situatë e tillë. Sot atë ministri e udhëheq dikush tjetër. Por, ka qenë shumë e rëndësishme më duket që shqiptarët të kyçeshin në institucionet e Malit të Zi dhe vullnetin e vet politika ta zhvillonin përmes institucioneve.
Sidomos të një Mali të Zi, të një qeverie të Malit të Zi, e cila siç thash, më vonë nuk do të kishte probleme me realitetet e reja ballkanike. Sidomos në raport me shqiptarët!
Mali i Zi as sot nuk ka asnjë problem, asnjë pengesë në gatishmërinë e tij për të qenë mirë, për të bashkëpunuar mirë me Tiranën, për të bashkëpunuar mirë me Prishtinën.
Mali i Zi sot ka ambasador në Tiranë. Ardhja ime këtu ambasador mendoj se flet diçka edhe për Malin e Zi.
Domethënë Mali i Zi shpreh një besim ndaj faktorit shqiptar jo vetëm në Mal të Zi.
Por edhe ndaj Shqipërisë në një shtet fqinj. Për arsye se të vijë shqiptari këtu, vetevetiu del e qartë kjo që thash.
Por, është edhe elementi tjetër që Mali i Zi tashmë ka ambasador edhe në Prishtinë dhe Prishtina po ashtu ka njeriun e vet, diplomatin e vet në Podgoricës.
Krejt këto më duket se flasin qartë për atë që ka qenë e leverdisshme që faktori politik shqiptar në Mal të Zi të ketë qenë në bashkëpunim permanent në fund të viteve 90 të shekullit të shkuar e këtej, me forcat e pavarësisë në Mal të Zi, në krye të të cilave ishte dhe është edhe sot partia e kryeministrit Gjukanoviç”.

-Që prej gushtit të vitit 2013 më së paku ka një diskutim serioz për çështjen e statusit të Tuzit. Për të kuptuar më mirë, po them unë ne shqiptarët e Shqipërisë, çfarë ndodh me këtë komunë. Përse ka diskutime qoftë për t’i dhënë një lirshmëri më të madhe të administrimit të territorit?

-Ferhat Dinosha: “Këtu, në këtë çështje kam qenë drejpërsëdrejti i kyçur. Si edhe në çështje të tjera. Por, këtu edhe më me emocion, për arsye se jam i asaj pjese. Jetoj në afërsi të Tuzit.
Kërkesa e partive shqiptare, që nga fillimi i veprimit politik të tyre ka qenë dhe është që Tuzi të ketë Komunë të Plotë.
Të kishte komunë të pavarur, komunë si komunat e tjera në Mal të Zi. E tillë ishte edhe kërkesa e partisë në krye të së cilës isha unë. Pra e Unionit.
E tillë ishte edhe kërkesa ime, prononcimet e mia në opinionin e Malit të Zi.
Ndërkohë qeveria e Malit të Zi në një fazë përpara referendumit të pavarësisë del me ofertën që Tuzi të ketë status të Komunës Urbane. Që, do të thotë faktikisht të një nënkomune të kryeqytetit dhe Podgoria të organizohej edhe me ligj si kryeqytet, gjë që do të ndodhte për të parën herë.
Kjo ofertë del në opinion, ne shohim çka ofron qeveria dhe e kundërshtojmë. Ne e kundërshtojmë për arsye se brenda dokumentit përveç titullit “Komunë Urbane” nuk kishte asnjë element që bën qeverisjen lokale!
Siç është parlamenti lokal, siç është kryetari i komunës, siç është buxheti, siç është territori i Komunës Urbane. Ne dalim në opinion kundër këtij projekti.
Në ndërkohë, mua më thërret në telefon një njeri, të cilin e kisha bërë mik dhe më dukej se e kisha mik shumë të rëndësishëm.
Fjala është për Konsullin amerikan të kohës në Malin e Zi, Hojt Brajan Ji (Brian Hoyt Jee), i cili sot është shumë i rëndësishëm për rrjedha më të gjera në Ballkan brenda Departamentit të Shtetit (zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit. v.j.).
Thash që me të kisha një kontakt të mirë dhe ai më thirri për të pirë një kafe dhe për të më thënë se përse edhe unë isha kundër projektit të qeverisë për status të Komunës Urbane.
I them, se kërkesa jonë ishte që të kishim komunë të plotë dhe se brenda dokumentit nuk i ka këto që i përmenda.
“A bën, – thotë, – ta shohim Tuzin bashkë një ditë”? S’kishte qenë asnjëherë në Tuz.
I them “po, merremi vesh kur”.
Shkojmë në Tuz.
Tuzin e kalojmë në këmbë për një çerek ore. Dhe, ndërkohë shohim një shkollë fillore në të hyrë nga Podgorica, një stacion policie, një motel që është në qendër të Tuzit. Para tij xhamia. Ecim edhe pak. Janë 5, 6, 10, 15 kafene. Tip pub-esh. Një ambulancë që është edhe sot. Jo, para ambulancës, kisha. Ambulanca, më poshtë gjimnazi i Tuzit. Dhe ky është Tuzi. Ky ishte Tuzi që i interesonte mikut amerikan.
Kthehemi në motelin që përmenda në qendër të Tuzit. Porosisim kafe dhe duam të rrimë pak.
Më thotë pos të tjerash zoti Ji, “sa punëtorë keni në prodhim këtu”?
Përgjigja ishte “asnjë”, se gjendja ishte ajo.
“Po, – thotë, – si do ta bëni buxhetin e Komunës së Plotë, nëse bëhet Komunë e Plotë”?
I them se unë nuk jam ekonomist, por ekonomistët ose ata që dinë më shumë se unë, për këtë po thonë se buxhetin do ta mbushim nga taksat ose diaspora jonë që nuk është e vogël, është më e madhe se vendlindja.
Diaspora është kryesisht në Amerikë. Jo kryesisht, por diaspora malësore është në Amerikë.
Dhe, ai më sheh me habi dhe më thotë: “ëe ëill not support such a budget”.
Ju më morët vesh, por për dëgjyesit po them që përgjigja ishte: “Ne nuk do ta mbështesim një buxhet të tillë”.
Dhe, më vonë më thotë se “cilat do të ishin elementët, pa të cilat ti nuk do të pranoje kurrsesei status të Komunës Urbane, edhe si person edhe si parti”?
Dhe unë i numërova këto siç u thash, që duhet të ketë kryetar, duhet të ketë buxhet, duhet të ketë territor, duhet të ketë parlament lokal.
Ai angazhohet që të punonim në këtë drejtim. Por unë i them që nuk kam shumicë as në parti.
Ai ka shprehur më vonë gatishmërinë që të vinte edhe në tubimet e qytetarëve aty në Tuz, por edhe në tubimet e partisë të cilën unë e udhëhiqja në atë kohë.
Pak nga pak, hap pas hapi, vijmë aty në kontakt me palën malazeze, të cilën e kryesonte kryetari aktual i shtetit të Malit të Zi, zoti Filip Vujanoviç, i cili e njeh territorin e Malësisë, njeh edhe shumë shqiptarë. Kisha edhe kontakte të mira me të.
Dhe, ky trekëndësh punon në drejtim të një komune urbane që do të kishte elementë të qeverisjes lokale dhe që do të kishte, do të ruante një element shumë të rëndësishëm për proceset politike, demokratike të kohës.
Më duhet të jem i zgjatur (në përgjigje. v.j) për arsye se është me interes besoj ta zbërthej.
Ju siguroj në një mënyrë që tregon realitetet e kohës.
Ky element që do të ishte shumë i rëndësishëm ishte fakti që po të bëheshin Komunë e Plotë, votuesit e komunës të Tuzit, pra banorët e Malësisë, nuk do të kishin më të drejtë të votonin për kryebashkiakun e Podgoricës. Nëse lihej një lidhje me Podgoricën, pra nëse kihej statusi i Komunës Urbane, vazhdonte e drejta e qytetarëve tëe Malësisë, për të votuar për kryebashkiakun.
Pse e cek këtë element? Dhe këtë e kam zbërthyer me kohë, e kam kapur në kohë se sa i rëndësishëm është në kontakt me amerikanin dhe me zotin Vujanovic. Pra me zotin Ji dhe me zotin Vujanoviç.
Ishte ky element i rëndësishëm se kryebashkiaku i Podgoricës ishte nga partia e Gjukanoviçit që po angazhohej, po luftonte për pavarësi me një diferencë shumë të vogël votash krahasuar me kandidatët apo me kandidatin e kohës së opozitës, e cila në Mal të Zi ishte dhe është kryesisht proserbe. Opozitë kundër pavarësisë së Malit të Zi.
Pra, mund të ndodhte që pa votat… Pikërisht, Malësia mund të japë dhe jep prej 5 deri në 6 mijë vota. Diferenca e kandidatëve të partisë së Gjukanoviçit që luftonte për pavarësi dhe kandidatit të provinjencës proserbe që luftonte për vazhdim të jetës së Malit të Zi në një shtet me Serbinë, pra ishte kundër pavarësisë, diferenca ishte rreth 3 mijë vota. Ndoshta edhe pak më poshtë. Kjo fliste që vota e Malësisë prodhonte kryebashkiakun ose në Podgoricë mund të ndodhte që të kishim kryebashkiak të politikave serbe.
Unë edhe asokohe kam thënë që nuk besoj, jo nuk besoj, por pohoj se nuk na duhet Komuna e Plotë e Tuzit, e cila humbet Podgoricën, sepse duke humbur Podgoricën, mund të humbasin edhe proceset demokratike në Mal të Zi.
Kjo është situata përpara pavarësisë së Malit të Zi.
Si parti me ndërmjetësimin e konsullit amerikan, vijmë te shumica që thotë se do të përkrahim statusin e Komunës Urbane për Tuzin si projekt pilot me elementët e qeverisjes lokale që i përmenda deri më tash.
Kështu u bë. Ndodhën votat për parlamentin lokal dhe votat e para i fituan kundërshtarët e statusit së Komunës Urbane, gjë që ishte normale për aq sa subjekte politike shqiptare.
Duhet thënë këti se të gjitha partitë serbe në këtë kohë përkrahnin Komunën e Pplotë të Tuzit.
Ishin bërë bashkë me patriotët e mi. Komuna e Plotë përkrahej, sepse serbët kishin interes edhe për Podrgoricën, edhe për asrye se kishin kërkesa që unë i dija. Që, nuk ishin të gjitha për opinionin, për të krijuar në Mal të Zi komuna të tjera me shumicë serbe.
U formua Komuna Urbane, e cila vepron edhe sot. Por, vazhdon të jetojë kërkesa për Komunë të Plotë. Edhe te partia ime edhe tek unë si person edhe sot.
Një Komunë e Plotë është votuar në parlamentin lokal të Tuzit. Drafti për Komunë të Plotë. Të pavarur, por prapë me dy specifika.
Nje që e përmenda, një që do ta përmend tash.
E para është që të lihet kontakti i furnizimit të buxhetit nga arka e Podgoricës. Jo nga Tuzi sepse s’kemi lek! Edhe Podgorica s’ka shumë, por Tuzi është i kacavjerrur sa u përket…!! S’kemi prodhim, s’kemi fabrikë. Gjatë komunizmit nuk janë prodhuar këto dhe sot e di që s’do të kishim lekë për buxhetin!
Do të thotë ka mbetur zgjidhja që thotë: Buxheti i Tuzit në këtë Komunë të Plotë që do të krijohet nesër, do të mbushet nga arka e Podgoricës në pajtim me përqindjen e frymëve që ka Malësia në kryeqytet, në Podgoricë dhe kjo do të dilte e mirë.
I gjithë Mali i Zi, mund të vuajë nga mungesa e të hollave, e lekëve, por Podgorica duhet të ketë diç më tepër, si çdo kryeqytet.
Dhe, është mirë të jesh në grazhdin e kryeqytetit. Unë këtë sot e kam shumë të qartë.
Pos elementit të buxhetit mbetet edhe elementi i të drejtës, për banorët madhorë, banorët e moshës 18 e mbi të malësorëve, të qytetarëve të Malësisë, të cilëve u mbetet e drejta për të votuar për kryebashkiakun.
Edhe kjo do të jetë e mirë, sepse pos asaj që këto vota faktikisht sigurojnë shumicën për kryebashkiakun, del edhe fakti se në një politikë të mirëfilltë, në një kontakt të mirëfilltë mes subjekteve politike shqiptare me ato malazeze, gjithmonë kur ndodhin votat, mund të prodhohet edhe ndonjë projekt i mirëe që s’është i buxhetit, por është i marrëveshjeve të tjera politike”.

-Ambasador, rreth viteve 2000, 2002-2003, një grup unë po i them “raportuesish” nga Shtetet e Bashkuara, kryesisht veprimtarë të të drejtave të njeriut, bënë një studim dhe vunë re që shqiptarët nuk i kanë të drejtat e plota, përfshi mungesën e arsimit të lartë, veçanarisht të arsimit të lartë. Ata kishin nxjerrë një përfundim që diku në një zonë të banuar kryesisht me serbë, kishte një propozim që për shqiptarët të ngrihej një qendër universitare. Por, kjo ishte pak e papranueshme dhe jo fort e logjikshme që ata të shkonin në atë qendër ku kishte shumicë serbe. Çfarë dallimesh ka sot përkrahja e shqiptarëve për arsimin, veçanërisht për të lartin?

-Ferhat Dinosha: “Edhe në këtë kam drejtëpërsëdrjeti i kyçur. Dhe, prapë kam qenë “fajtor” i themelimit të fakultetit të parë shqip në Podgoricë, Fakultetit të Mësuesisë, i cili vepron edhe sot.
Them “fajtor” për arsye se kërkesa ka qenë që këtë fakultet ta kishim në Tuz ose në Ulqin. Si kërkesën e partive shqiptare. Ende nuk kishim vendosur se ku, por flitej Tuzi ose Ulqini.
Ndërkohë, del propozimi që ju e përmendni, nga ana e qeverisë, një katedër e mësimit shqip të kihej në Nikshiç, i cili është një qytet më, më…”.

-Më pranë Serbisë.

-Ferhat Dinosha: “Po, më në veri dhe një mjedis më proserb. Dhe ne prapë e kundërshtojmë.
Në kontakt me të njejtin konsull amerikan më thuhet se pse po them që profesorët në atë qytet janë absolutisht si vullnet politik proserbbë dhe ne nuk duam që fëmijët tanë t’i kemi në një mjedis të tillë.
Ndërkohë, jepet oferta për Podgoricën, prapë nga ana e qeverisë. Në atë fazë, konsulli amerikan, miku amerikan më thotë që “nëse doni Podgoricën, ju ndihmojmë edhe me lekë, me dollarë dhe nëse doni punë tjetër, punoni vetë”!
Unë e di ç’është “punoni vetë” kur ta thotë miku amerikan!
Kam qenë dhe mbetem… hajde, njerëzit që janë marrë me politikë, shqiptarët që janë marrë me politikë në Mal të Zi, i cili ka patur një tezë: Që, nëqoftëse çiftelia ka dy tela, unë ndonjëherë kam qejf t’ia dëgjoj këngën e telave, por unë s’dua t’i bie çiftelisë pa një tel amerikan!
Ndoshta politikat tona të vogla nuk janë të rëndësishme, por mendoja dhe mendoj që një qassje të tillë duhet ta kenë faktorët politikë shqiptarë kudo që veprojnë.
Unë kështu jam sjellë në Mal të Zi dhe siguroj që Komuna Urbane e Tuzit është prodhuar me ndërmjetësimin amerikan dhe fakulteti i parë shqip në Podgoricë është prodhuar me ndërmjetësimin amerikan, që unë e kam përkrahur si lideri i partisë më të fortë shqiptare asokohe në Malin e Zi, Unioni Demokratik Shqiptar.
Pra sot kemi përveç shkollimit të mesëm edhe fakultetin e parë shqip.
Sot kemi të drejtë të hapim edhe fakultete të tjera edhe në Tuz edhe në Ulqin kudo që të kihet leku. Por duhet thënë absolutisht edhe këtë, se në këto situata na mungon diç tjetër që flet për kuadrin.
Edhe fakulteti në Podgoricës, nuk do të funksiononte pa ndihmën e kësaj Shqipërie, pa ndihmën e Shkodrës.
80-90 për qind e stafit mësimor në këtë fakultet janë nga Shkodra dhe këtu kam dhënë disa kontribute, të cilat edhe sot duke folur këtu me ju, më bëjnë të ndihem mirë.
Ti ke shqiptarë në Mal të Zi, miq të mi. Dhe unë i thoja vetes ndonjëherë, po të më pyeste dikush a mund të japësh mësim në një fakultetet do t’i kisha thënë “po”, jo aq sa të tjerët. Por, sot e dimë që duhet të jesh “Doktor i Shkencave” për t’u marrë me një gjë të tillë.
Ne s’kemi shumë në Mal të Zi. Dhashtë Zoti edhe do të prodhohen, por sot për sot ecja që prodhon një fakultet të tillë, mendoj që është i leverdisshëm”.

-Përse shpesh shqiptarët në Malësinë e Vuthajve, në tërësi në Mëlësi, në Ulqin, në trevat e tyre, kanë ankesa ndaj qeverisjes, veçanërisht në zbrazjen e trojeve etnike. Çfarë është bërë për t’i …

-Ferhat Dinosha: “Askush në Mal të Zi nuk mund të pohojë dhe nuk pohon se janë kryer të gjitha kërkesat reale që mund t’i kenë dhe i kanë shqiptarët. Nuk ka pushtet në Mal të Zi që mund ta pohojë këtë! Por, absolutisht askush nga shqiptarët qoftë në Mal të Zi, qoftë gjetiu, nuk mund të thotë se nuk është bërë asgjë në drejtim të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
Unë si njeri nga shqiptarët në Mal të Zi, që mendoj se i njeh kushtet që i kemi patur dhe që i kemi sot, pohoj se “shqiptarët janë më mirë se dje dhe më keq se nesër”.
Për arsye, se shpresoj që me vazhdimin e proceseve demokratike, me pjekje të kushteve që nesër të jemi edhe pjesë e Europës, do të vijmë në situata që të kemi më shumë projekte të realizuara.
Unë do të përmend disa më kryesoret që i kemi si shqiptarë në Mal të Zi si pakicë nacionale në Mal të Zi.
Përmend Ministrinë për të Drejtat e Pakicave. Përmes kësaj ministrie që e kanë udhëhequr shqiptarët dhe sot e udhëheq dikush tjetër, por përsëri shqiptarët mbështesin qeverinë e Malit të Zi, të gjitha partitë shiqptare.
Do të thotë se përmes kësaj ministrie ia kemi dalë të nxjerrim ligjin për të drejtat e pakicave nacionale, i cili definon, sanksionon shumë të drejta.
Siç ëhstë e drejta e arsimit, e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, e përdorimit të simboleve kombëtare e kështu me radhë.
Ja kemi dalë të formojmë Fondin e Pakicave, i cili mbledh 1 milionë euro në vit dhe këto jepen për projekte identitare të pakicave.
Ja kemi dalë të krijojmë Qendrën për Kulturë të Pakicave me seli në Podgoricë edhe ajo.
Ja kemi dalë që me anë të institutit që e ka Europa dhe që quhet Aksion Afirmativ të lehtësojmë rrugën e hyrjes së subjekteve politike shqiptare, të partive shqiptare dhe të partive të pakicave të tjera në parlamentin shtetëror. Përmes Aksionit Afirmativ, përmes diskrmiminit pozitv. Do të thotë, mandati i partisë shqiptare kushton më lirë se mandati i një deputeti shtetëror, ta quaj ashtu.
Mmë duket se këto nuk janë gjëra të vogla krahasuar me gjendjen që kemi patur më parë.
Ka ngecje. Ka ngecje të dukshme në zhvillimet ekonomike, megjithëse mjediset ku shqiptarët janë shumicë, ku janë autoktonë kanë pasuri natyrore, kanë pasuii që ua ka dhënë Zoti, nuk janë valorizuar akoma.
Këtu mbetet punë për të gjitha subjektet që u duan të mirën jo vetëm shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe të procesve demokratike në Mal të Zi, për arsye se ato procese ndikojnë në një mirësi më të gjerë, mirësi rajonale. Dhe, unë vazhdimisht kështu i kam parë punët.
Ne kemi atje, hajde… Strategë lokalë atje që thonë se kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë disa, se për ne shqiptarët e Malit të Zi, është njesoj se kush është në pushtet në Podgoricë. Kush është në stol.
Unë nuk kam menduar ashtu. Mua më duket se është më mirë që në pushtet në Podgoricë të jetë subjekti që respekton pikë së pari pavarësinë e shtetit të vet dhe është i gatshëm të respektojë këto që thamë përpara: Bashkëpunimin me Tiranën, bashkëpunimin me Prishtinën dhe kontaktet e mira me shqiptarët kudo që janë.
Ne jemi në një situatë të tillë, që subjekt të tillë në Mal të Zi kemi në pushtet, i cili nuk ka bërë aq sa duhet për zhvillimin ekonomik të Ulqinit, në zhvillimin ekonomik të Tuzit, në zhvillimin ekonomik të Plavës dhe Gucisë, të Rrozhajës madje sepse edhe në Rrozhajë ka shqiptarë.
Por absolutisht informacioni flet se ekziston vullnet politik për fat të keq në fazën aktuale nuk kihen mjete financiare sa duhet. Por, të shpresojmë që edhe kjo të përmirësohet, por me një bashkëpunim të mirëfillitë ndërmjet subjekteve politike të shqiptarëve dhe subjektit qendror politik në Mal të Zi mund të prodhohen situata që do të ndikojnë në përmirësimin e jetesës së përditëshme, standardit jetësor të shqiptarëve në trevat ku jetojnë”.

-Ambasador çfarë po ndodh me një grup njerëzisht që u akuzuan dhe hynë në një proces gjyqsor për të quajturën “mundësi” të krijimit të një ushtrie? Shtetet e Bashkuara kanë qenë të vëmendshme ndaj këtij procesi të këtyre shqiptarëve kruesisht me lidhje në Amerikë, shtetësi.

-Ferhat Dinosha: “Besoj që fjalën e keni për një aksion që ka ndodhur para pavarësisë së Malit të Zi”…

-Po.

-Ferhat Dinosha: “…dhe që u quajt asokohe “Fluturimi i Shqiponjës”. Kanë qenë të burgosur më duket 18 shqiptarë me origjinë nga Malësia. Me jetesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumica e tyre ose një pjesë e mirë e këtyre nga 18-i dhe me disa shqiptarë qytetarëe amerikanë.
Krejt kjo ngjan përpara pavarësisë së Malit të Zi.
Akuza në opinion ishte se ky grup ka dashur të çonte në ajër ndonjë objekt, të likujdonte dikë, fundi të krijohej një situatë në të cilën do të kishte pak apo më shumë viktima dhe të cilat do të ndryshonin ecjet politike në Mal të Zi. Natyrisht situata s’do të mund të mbetej e njejtë.
Unë natyrisht që jam interesuar për situatën dhe për shkaqet e burgosjes së grupit me mish e me shpirt, por sinqerisht jo me dorëza.
Për arsye se, u kam thënë edhe farefisit të të burgosurve që në atë kohë, se ne duhet të pasojmë, të përcjellim me shumë vëmendje sjelljen e faktorit amerikan prapë në këtë rast.
Se, Mali i Zi mund të jetë në gjendje të heqë për hundësh ne shqiptarët, por s’do të jetë në gjendje të heqë për hunde amerikanët.
Meqë brenda grupit ka qytetarë, ka shtetas amerikanë që janë njerëzit tanë, të jemi në kontakt me faktorin amerikan.
“A mund të na e sjellësh diplomatin amerikan, që asokohe ishte ambasador”? (u pyet. v.j).
Jo konsull, sepse kishte avancuar kontakti dipomatik me Malin e Zi dhe ishte zoti Roderik Mur, me të cilin gjithashtu isha në një kontakt të mirë.
Kam patur fat që gjatë gjithë kohës të kem qenë në kontakt me atë “telin” që thashë (lexo më lart: çiftelia me dy tela. v.j.).
Unë kisha shpresë pa e parë zotin Mur, se do të më pranonte të vinte në Tuz dhe të flisnim haptaz për çështjen.
U thash se “besoj që e sjell, kur të doni merremi vesh i them zotit Mur dhe vjen në Tuz”.
Unë e di se kemi ndenjur në një lokal që e kanë qejf ta frekuentojnë edhe disa shqiptarë të Shqipërisë, “Troja”…

-Kur hyn për në Mal të Zi në të majtë…

-Ferhat Dinosha: “Po, ajo, aty ishim. E di që biseda duhet të ketë zgjatur dy orë e gjysëm, tri orë, ku janë faregis të të burgosurve, ku jam unë, ku është ambasadori Mur.
Dhe, absolutisht njeriu pranonte ta pyesnin si në gjyq! Për çdo interesim ishte i gatshëm të jepte përgjigje, të cilat mua më duhet t’i përktheja për malësorët e mi.
Dhe, absolutisht përgjigjet shkonin në fond të asaj që nga pak u kisha thënë edhe unë.
Se, s’do të ngjajë që Mali i Zi të mund të luajë me rastin, por ne nuk jemi ata të cilët nuk duam punën e gjyqeve, të cilët nuk do të pranojmë argumenta nëse do të dalin argumenta.
Kam vazhduar unë kontaktin me zotin Mur deri në përfundim të rastit. Kemi organizuar edhe protesta përpara gjyqit të Malit të Zi, duke kërkuar të drejtën për grupin.
Kur ka përfunduar i tërë rasti, puna ka dalë aty që janë marrë ca dënime, janë marrë ca vite burg për disa nga personat, edhe për ata që kishin shtetësi amerikane, karshi të cilave nuk ka patur reagim negativ amerikan!
Nuk ka patur as ndonjë rrahagjoks nga ana ime si person ose nga ana e partisë time, megjithëse këtë punë kanë tentuar dhe deri diku ia kanë dalë sidomos në fillim, ta instrumentalizonin disa grupe politiko-qytetare të trevës aty të Malësisë, jo sinqerisht.
Deri sa them “instrumentalizim” kuptohet që kishin qëllime të depërtimit në skenën politike përmes këtij rasti, që ishte ashtu si ishte.
Natyrisht që edhe unë më vonë kam pasur edhe informacion me burim nga këtu, nga Tirana pra, i cili më vërtetonte se krejt puna nuk ka qenë shumë e thjeshtë, por absolutisht ka qenë e qartë që në fillim se po të realizohej deri në fund, dëmi kishte me qenë pikë së pari i shqiptarëve dhe jo vetëm i shqiptarëve në Mal të Zi”.

-Gjatë tërë kohës ambasador, Ju nuk i ndatë marrëdhëniet e Malit të Zi, e shqiptarëve të Malit të Zi me Tiranën dhe me Prishtinën. A ishte shembull i mirë vizita e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi në Podgoricë, përkundër gjykimit për disa thirrje si “vritini shqiptarët!”, me të cilat ai u prit shkëputurazi…

-Ferhat Dinosha: “Unë besoj se edhe vizita që po përmendni është akt, nga i cili duhet të nxjerim mësim si shqiptarë.
Se, tani unë po flas më shumë si shqiptar se sa si diplomat i Malit të Zi këtu (qesh. v.j.).
Pra, parrullat antishqiptare që u dëgjuan në Podgoricë, u dëgjuan nga elementi serb apo proserb brenda Malit të Zi dhe jo nga elementi malazez, i cili prodhoi pavarësinë.
Zoti Thaçi duhet të ishte i përcjellë nga shumë policë, të cilët nuk i siguruan shqiptarët, por i siguroi qeveria e Malit të Zi.
Kjo flet, më duket se vërteton atë që thashë edhe më parë që, një pushtet në Mal të Zi, nuk e ka lehtë të presë dikë, të cilin akoma Beogradi e akuzon si terrorist, do ta ndiqte penalisht me shumë orekse, por flet për diçka: për gatishmëri të Podgoricëës që gjërat t’i shohë në Ballkan ashtu siç janë.
Ky person, të cilin po e përmend më shumë se krejt puna, është kthyer në shpatullat e tij.
Pra, kryeministri Gjukanoviç ka pasur edhe raste të tjera që është dëshmuar vullnetmirë karshi faktorit shqiptar. Jo vetëm për shkak të faktorit shqiptar, por për shkak të rrjedhave, kujdesit ndaj rrjedhave demokratike në Malin e Zi.
Në vitin 1999, s’bën të harrojmë ne si shqiptarë, Mali i Zi kishte dyert e hapura për 100 mijë ushtarë të Kosovës të dëbuar nga ushtria e Millosheviçit, e cila ishte e pranishme edhe në Mal të Zi në atë kohë!
Pas kapjes së pavarësisë së Malit të Zi, thash, që Mali i Zi i pavarur s’kishte problem me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Partia ime, e cila edhe më parë mund të kërkonte kuota diplomatike, këtë e bëri vetëm pas aktit kur Mali i Zi ka shprehur gatishmërinë, ka njohur pavarësinë e Kosovës,
Që në atë kohë, partia Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe unë si pjesëtar i saj, kemi shprehur gatishmërinë dhe kemi prodhuar gjendje që thotë se anëtarët e Unionit Demokratik të Shqiptarëve janë gjetur nëpër përfaqësitë diplomatike të Malit të Zi.
Unë jam sot në Tiranë. Kemi patur në Nju Jork përfaqësues shqiptarë. Ka shqiptarë sot edhe në Budapest, ambasador.
Kështu, që ky pushtet i Malit të Zi, absolutisht tregon fleksibilitet që nuk janë të përditshme në shtetet ballkanike, kur është fjala në raport me pakicat”.

-Faleminderit ambasador për mundësinë që na krijoni për këtë intervistë të përbashkët. Do të ndjek linjën e kolegut. Ditët e fundit, kemi lexuar në media, e ka botuar edhe ADN, që ministria e Jashtme në Podgoricë, ka dorëzuar një protestë pranë ministrisë së Jashtme shqiptare lidhur me shfaqjen e një harte të Shqipërisë së Madhe në fasadën e kryeministrisë. A ekziston një shqetësim real në Podgoricë për këtë çështje dhe çfarë dëshiron të dijë lexuesi, a ka ndonjë rakordim të qëndrimeve me Serbinë për këtë çështje, pasi dy ditë më parë qeveria serbe protestoi fort në lidhje me këtë ngjarje.

-Ferhat Dinosha: “Mali i Zi lidhur me këtë nuk ka protestuar, nuk ka dhënë notë proteste, por ka kërkuar shpjegim, i cili është bërë përmes meje.
Do të thotë, Podgorica më ka thirrur, unë kam shkuar në ministrinë e Jashtme dhe jam interesuar për këtë që thoni ju.
Duket se gjatë vitit të ri në fasadën e kryeministrisë është paraqitur mes fotografive të tjera edhe kjo që unë e quaj “fotografia e dronit”.
Fotografi, që u paraqit sëpari në Beograd, për të cilën unë nuk e dija edhe pse kam qenë këtu gjatë festave dhe për të cilën informacionin e parë e marr nga homologu im serb këtu në Tiranë, nga ambasadori Miroljub Zariç. Ai më thotë se përveç fasadës, edhe në ëebsiten e qeverisë qëndron kjo, kjo, kjo.
Dhe, natyrisht se interesohem si diplomat i Malit të Zi këtu në Tiranë. Veç asaj më, thuhet edhe nga Podgorica që të kërkoj shpjegim.
Shpjegimin e marr në ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Përafërsisht më thuhet se nuk ka patur mundësi kush që të kontrollonte depërtimin e këtyre fotografive në fasadën e kryeministrisë, gjë që e besoja.
Por, interesimi shkonte më tej, pasi këtu nuk ka patur mundësi kontrolli, pse të gjendet edhe në ëebsiten e qeverisë?!
A mos do Tirana me këtë që të flasë se ka ndryshime në politikat e saj të jashtme, në politikën e saj karshi fqinjëve dhe përgjigja është: Absolutisht jo dhe kjo s’do të thotë se ka ndryshim në politikat shqiptare karshi fqinjëve ose në politikën e jashtme në përgjithësi.
Unë këtë përgjigje e jap në Podgoricë dhe Podgorica nuk vazhdon të jetë e shqetësuar pas kësaj përgjigjeje aq sa ishte fillimisht kur lajmi duket se ishte lançuar në atë mënyrë që thonte se qeveria me qëllim ka bërë këto, këto, këto.
Si person, jo vetëm si diplomat, por si person, i cili është dashamir i proceseve demokratike, edhe këtu në Tiranë mendoj se gjërat e tilla nuk janë profitprurëse për politikat shqiptare.
Pa këto gjëra politika shqiptare mund të ketë ecje shumë më të sigurtë dhe demokratike dhe besoj se gjërat do të shkojnë ashtu”.

-Zoti Ambasador! Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vende fqinj, vende të vegjël, me popullsi të vogël, por me zhvillim të ndryshëm, duke filluar nga infrastruktura, bujqësia, turizmi e fusha të tjera. Po kështu të dy vendet kanë statusin e vendit “kandidat” për në Bashkimin Europian. Në këtë proces Podgorica domosdo është më e avancuar se Shqipëria. A do të ishte më e lehtë për Shqipërinë që të përfitonte nga përvoja e vendit tuaj në përmbushjen e atyre që quhen “detyrat e shtëpisë”? Sepse, më ka rënë rasti në një intervistë me ministrin e Jashtëm tuaj, ministrin e Jashtëm malazez (Igor Lukshiq. v.j.), i cili u shpreh shumë i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim.

-Ferhat Dinosha: “Absolutisht gatishmëria nga ana e Podgoricës në këtë drejtim, ekzisiton.
Është e saktë ajo që thoni lidhur me prononcimin e ministrit të Jashtëm, Lukshiq. Por, është e saktë edhe diç tjetër, që është edhe e nivelit më të lartë.
Gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Podgoricë me të marrë pushtetin këtu në Tiranë, në bisedat me zotin Gjukanoviq, me kryeministrin e Malit të Zi, është prekur edhe ky fakt dhe është dëgjuar gatishmëria e palës malazeze për të ndihmuar pa rezervë Shqipërinë në rrugën e përbashkët për në familjen europiane.
Por, pasi që Mali i Zi ka përparuar më shumë në këtë drejtim, atëherë absolutisht që përvoja e Malit të Zi do të mund të ishte shumë e mirë edhe për Shqipërinë.
Kjo përvojë mund të kihet në shfrytëzim absolutisht jo vetëm në këtë fazë, por derisa të kryhet procesi i anëtarësimit.
Nga ana tjetër është shprehur gatishmëria e Tiranës që Malin e Zi të mund ta ndihmojë për një integrim tjetër po ashtu shumë të rëndësishëm dhe ky është integrimi euroatlantik, integrimi në NATO.
Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Mali i Zi aspiron që të bëhet anëtar i NATO-s.
Dy projektet më strategjikë të Malit të Zi dhe më duket se kështu është edhe me Shqipërinë, janë integrimi europian dhe integrimi atlantik.
Në këto punë, në këto situata në të cilat janë shtetet e Malit të Zi dhe të Shqipërisë, ndihma mund të jetë e ndërsjellë.
Podgorica mund ta ndihmojë dhe është e gatshme ta ndihmojë Tiranën në drejtim të Europës, më shumë se sa që Tirana mund ta ndihmojë Malin e Zi. Por, Tirana mund ta ndihmojë Malin e Zi në drejtim të kyçjes në NATO. Dhe unë pres që këto zhvillime do të jenë kësisoj. Që ndihma të jetë e ndërsjellë dhe që në një të ardhme jo të largët shpresoj të dy shtetet të jenë edhe anëtare të Bashkimit Europian edhe anëtare të Aleancës Atlantike”.

-I mbetem zoti ambasador, aspektit diplomatik. A shihni mundësi më të mëdha bashkëpunimi ndërmjet Tiranës dhe Podgoricës në Ballkanin Perëndimor? A mund të themi tani që ka vende “kryesore” në këtë rajon apo që të quhen “Prima Donna” e zonës” apo do të ishte i rrezikshëm krijimi i supermacisë së një vendi që është më i rëndësishmi për të drejtuar politikën ballkanike?

-Ferhat Dinosha: “Mali i Zi dhe Republika e Shqipërisë janë dy vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor me vendkalime të përbashkëta kufitare.
Murriqani ka mbledhur nën një kulm policinë e Malit të Zi me policinë e Shqipërisë dhe doganierët e Malit të Zi me doganierët e Shqipërisë.
Kihet gatishmëri që pika të tilla kufitare të ketë edhe në pjesët e tjera të kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Absolutisht që kjo flet për gatishmërinë e të dy shteteve dhe kapacitetet e të dy shteteve që të jenë shembull i bashkëpunimit të mirë fqinjësor jo vetëm për Ballkanin, por edhe më gjerë.
Dhe tashtu, nëse kush punon më tepër në një drejtim, që është i mirë jo vetëm për të, por edhe më gjerë, atëherë ecja drejt kyçjes në familjen europiane duhet të jetë në bazë të meritave, pa frikë nga krijimi i çfarëdo supermacie në këtë drejtim.
Pra, le të jetë ecja në pajtim me meritat, me ato që investohen në atë drejtim.
Mendoj se raporti i mirë midis Podgoricës dhe Tiranës mund të jetë shumë i dobishëm edhe për raporte të tjera ndërmjet kombeve dhe ndërmjet shteteve në Ballkanin Perëndimor”.

-Si ambasador dhe si qytetar i Malit të Zi. Si i keni përcjellë zhvillimet në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë? Duke bërë një paralelizëm të gjendjes së popullsisë shqiptare në Mal të Zi dhe asaj shqiptare në Shqipëri, a shihni ndryshime, mundësi për të përfituar në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal e në fund të fundit, për të mësuar nga përvoja më e mirë, për të kapërcyer, për t’u përafruar nga ana e aspektit social të gjendjes?

-Ferhat Dinosha: “Mund të konstatohet se lufta politike në kohët e fundit, të ketë qenë pak më e ashpër në Tiranë se sa në Podgoricë, pasi që Podgorica me kapjen e pavarësisë ia ka dalë të krijojë stabilitete politike pak më të avancuara se sa ç’kanë qenë deri vonë këtu në Tiranë.
Por, për fat të mirë edhe Tirana në kohë të fundit, po tregon vullnete dhe hapa konkretë që flasin ta zëmë për ndërrim pushtetesh në një mënyrë që nuk krijojnë probleme.
Kjo ka ndodhur, sa u bënë, një vit e diçka, dhe ndërrimi i pushteteve ishte i qetë, ishte demokratik.
Nuk më vjen mirë nëse palët politike, nuk janë të gatshme të shihen dhe të polemizojnë aty ku është më së miri për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Nuk më vinte mirë, pa hyrë në shkaqe, pa hyrë sa kush, ka të drejtë, që opozita shqiptare deri para vitit të ri, ishte jashtë parlamentit, për arsye se kam qenë gjatë në parlament dhe jam ithtar i mikrofonit të parlamentit, i cili mund të bëjë që të jetë efektiv, që të jetë i mirë për qytetarët e një shteti në përgjithësi.
Pra, edhe kjo ndodhi. Ndodhi që të ndërpritej edhe bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje, të cilën besoj se do ta respektojnë të dy palët.
Mali i Zi mund të jetë në situarta që të mund të ketë patur zhvillime në një të shkuar më të mira ekonomike se sa Shqipëria.
Dhe në këtë drejtim po ashtu mund të kihet ndihma e Malit të Zi për Shqipërinë, sidomos në zhvillimin e turizmit.
Shqipëria ka terrene fantastike për zhvillimin e turizmit, i cili ka filluar, por nuk është në nivele që kjo situatë është në Malin e Zi.
Në këtë drejtim bashkëpuni mi ndërmjet Podgoricës dhe Tiranës mund të jetë me shumë interes për të dy palët.
Për arsye, se ta zëmë, Ulqini, Shkodra, Velipoja, Shëngjini, faktikisht nesër mund të jenë një njesi e përbashkët turistike, me bashkëpunime të mira, me kontakte të mira ndërshtetërore.
Unë e e di se ka fjalë për projekte të përbashkëta, siç është Korridori Blu, siç është valorizimi i i Liqenit të Shkodrës në të gjitha aspektet, edhe turistike, edhe ekologjike, edhe në drejtim të eliminimit të rreziqeve nga përmbytjet dhe kështu me radhë.
Për të gjitha këto ekziston vullneti i dyanshëm, por vendimtar prapë është leku edhe në këto.
Të dy palët duhet të bëjnë çmos që nëse kanë mungesë të mjeteve financiare në buxhetet e tyre, të bëjnë çmos që me projekte të përbashkët të konkurrojnë për mjete në adresat që mund t’i kenë këto mjete.
Edhe me një argumentim të mirë edhe t’i japin për projekte që do të ishin shumë të leverdisshme për të dy shtetet dhe jo vetëm për rajonin, por edhe për Europën.
Për arsye, se viset turistike edhe në Mal të Zi edhe në Shqipëri janë të tilla që absolutisht të mund të ofrojnë pushime të mira edhe në kohën kur europianët, dridhen nga moti”.

-Meqë folët për projekte konkrete. Unë do të flas konkretisht, për linjën hekurudhore Hani i Hotit-Podgoricë. A ka plane për riaktivizimin e saj? Ju folët për çështje leku. Ju kohët e fundit për shembull keni marrë financime nga Kina për të ndërtuar një projekt të madh infrastrukturor.

-Ferhat Dinosha: “Po Rrugën Nacionale”.

-Kam dëgjuar që Kina në të njejtën kohë është e interesuar për sistemin hekurudhor shqiptar. A mund të ketë në kuadër të Iniciativës së Vendeve të Europës Juglindore dhe Qendrore për ta riaktivizuar këtë linjë Hani i Hotit-Podgoricë, si për Shqipërinë, për të gjithë rajonin?

-Ferhat Dinosha: “Treni i mallrave funksionon edhe tani. I pasagjerëve jo. Dhe, këtu ka shanse absolutisht që me projekte të përbashkët të profunksionojë, të vihet në funksion edhe treni i pasagjerëve.
Për këtë natyrisht se prapë do të duhej ndihma e huaj. Unë mendoj se linja hekurudhore mund të vazhdojë deri në Durrës. Ta lidhë edhe Tiranën me Podgoricën.
Sepse, në një situatë të tillë do të kishte pasur shumë-shumë njerëz, të cilët kishin çuar dorë për udhëtim në Tiranë nga përdorimi i makinës për të udhëtuar mer tren.
Se, sa do të kishte qenë ajo? Një orë, një orë e gjysëm treni i mirë nga Pogodrica do ta shihte Durrësin ose Tiranën. Në këtë drejtim duhet ky bashkëpunim i ndërsjellë.
Mendoj se në këtë drejtim duhet të ketë bashkëpunim edhe më të gjerë edhe me Kosovën edhe me Maqedoninë ose me Serbinë tutje. Pasi, flitet për projekte potencialisht të realizueshme të linjave hekurudhore që do të ishin shumë të leverdisshme për ekonomitë e këtyre vendeve.
Me sa më shumë të interesuar, do të ishin më të kapshme tek adresat europiane.
Mali i Zi është i gatshëm të punojë në këtë drejtim.
Mali i Zi ka gatishmëri të prekë edhe një projekt tjetër që lidhet edhe me shtetin e Shqipërisë, edhe me shtetin e Kosovës.
Fjala është për valorizimin e “Bjeshkëve të Nemuna” apo “Bjeshkëve të Bekuara” siç i quajti ish-kryeministri (Sali Berisha. v.j.), që është interesant si sintagmë më e mirë.
Dhe, Mali i Zi do të ishte i gatshëm që në bashkëpunim të ndërsjellë me Shqipërinë apo me ndonjë fqinj tjetër të prodhojë projekte, të cilat do të ishin të mira edhe për shtetet edhe për zhvillimet e gjithëmbarshme europiane nesër, sepse do të jemi Europë edhe këndej pari”.

-Unë ju pyeta për çështjen e financimit. A mund të shihet një mundësi e tillë, që një gjë e tillë të financohet në kuadrin e asaj iniciativës së Kinës për vendet e Europës Juglindore dhe Qendrore, meqë ju tashmë e keni një përvojë të tillë dhe keni marrë një financim goxha të madh.

-Ferhat Dinosha: “Unë e di që kryeministrat Rama dhe Gjukanoviq kanë përmendur (bile e ka iniciuar kryeministri Rama), një projekt i cili flet për rrugën bregdetare, e vijës së bregdetit, ndërmjet Shëngjinit, Velipojës dhe Ulqinit.
Në këtë drejtim është përmendur fakti që partneri kinez do të mund të ishte i interesuar për një gjë të këtillë.
Unë mendoj se kyçja edhe e ndonjë projekti tjetër nuk do të rëndonte shumë kapacitetet investuese të partnerit kinez apo të ndonjë partneri tjetër.
Por, absolutisht në këtë drejtim duhet bashkëpunimi i mirë ndërshtetëror, ashtu si është ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë.
Duhet që kur ndodhin takimet, gjërat të mos mbesin në nivelin verbal, në nivel të fjalëve, por të fillojnë ndonjë konkretzim i cili do të ishte shumë i mirëpritur”.

-Ambasador, faleminderit!

-Ferhat Dinosha: “Ju lutem! Faleminderit ju”!