Ambasadori francez në Kosovë: Presim vendim pozitiv për vizat

Prishtinë, 11 nëntor 2022 – Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se shteti i tij është në favor të heqjes së vizave për Kosovën.

Sipas tij, këtë ia ka konfirmuar presidentes Vjosa Osmani vetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të enjten në Paris.

“Në qershor të këtij viti presidenti Macron i ka thënë presidentes Osmani se ne jemi në favor të liberalizimit me disa masa që duhet të realizohen. Ne po respektojmë këtë angazhim. Po presim të ketë vendim pozitiv dhe të arrihet një marrëveshje lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar ai, transmeton Ekonomiaonline.

Ambasadori Guerot ka folur edhe për planin franko-gjerman. Ai ka thënë se deklaratat që janë dhënë nga vendet e ndryshme për këtë plan nuk ndihmojnë në realizimin e atij plani.

“Unë nuk mund t’ju jap më shumë shpjegime. Franca dhe Gjermania e kanë propozuar një plan dhe nuk do të doja të komentoja lidhur me qëndrimin dhe deklaratat e palëve të ndryshme mbi atë plan. Deklaratat që janë dhënë nga vende të ndryshme nuk ndihmojnë në realizimin e atij plani”, është shprehur ai.

Këto komente, ambasadori Guerot ai i ka bërë pas ceremonisë ushtarake në përkujtim të armëpushimit të 11 nëntorit 1918, i cili i dha fund Luftës së Parë Botërore, organizuar nga Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Francës.

(r.m.)