Prishtinë, 23 qershor 2022 – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Gjermania do të vazhdojë ta promovojë Procesin e Berlinit, por nuk do ta kundërshtojë iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Por, ai ka thënë se iniciativa “Ballkani i Hapur” duket se nuk do të jetë gjithëpërfshirëse, sepse disa vende të rajonit nuk dëshirojnë të jenë pjesë e saj.
“Ne e kemi filluar Procesin e Berlinit, Kancelari ynë po e promovon Procesin e Berlinit, prandaj është e qartë. Mirëpo ne asnjëherë nuk do të kritikojmë shtetet që duan të fuqizojnë bashkëpunimin rajonal. Pyetja kryesore është se a do të jetë ajo iniciativë gjithëpërfshirëse, ndërsa për momentin kjo nuk po duhet e tillë sepse janë disa vende që nuk janë pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’. A kemi nevojë për një proces tjetër? Në anën tjetër, në disa raste ndodh që të krijohen procese paralele, në rast se opsioni i parë nuk funksionon”, ka thënë ambasadori Rohde, në një intervostë për “Kallxo.com”.
“Prandaj, ne duhet të kanalizojmë të gjithë energjinë tonë që procesi i parë të funksionojë. Kjo është e ngjashme me dështimin e Organizatës Botërore të Tregtisë që të vendosë një regjim botëror prandaj që 50 vjet, marrëveshje tregtare dalin gjatë gjithë kohës, prandaj në politikë, shpeshherë opsionet e dyta mbesin opsioni i vetëm që mund t’i qasemi”, ka shtuar ai.
Ambasadori Rohde ka thënë se kancelari Scholz do ta ftojë në vjeshtë një konferencë me liderët e vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit.
“Dy çështje: së pari, në vjeshtë do të mbahet konference e udhëheqësve të cilën do ta ftojë Kancelari. Kur të ftohen udhëheqësit e rajonit, natyrisht që priten edhe rezultate, prandaj edhe ekzistojnë diplomatët që punojnë në prapavijë me shpresë që të garantojnë se të gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarët e Procesit të Berlinit nuk do të ulen në atë tavolinë duke e ditur që nuk do dalë asgjë nga ai takim”, ka thënë ambasadori gjerman.
(r.m.)