Ambasadori i BE-së në Kosovë e uron Presidenten Justina Shiroka – Pula

Prishtinë, 7 tetor 2026 – Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një postim në profilin e saj në Facebook, njofton se ambasadori Schuebel pret të bashkëpunojë ngushtë me presidenten Shiroka – Pula, me institucionet tjera shtetërore dhe me partitë politike në Kosovë për afrimin e vendit me BE-në. Ai ka theksuar se BE-ja mbetet mbështetëse e palëkundur e Kosovës.

“Me shpresën për rivendosjen e stabilitetit politik dhe institucional, me kënaqësi pres të bashkëpunoj me Presidenten Shiroka Pula, me institucionet dhe me spektrin e gjerë politik në Kosovë për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian. Mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur”, citohet ambasadori Schuebel.

Edhe Brukseli e ka mirëpritur zgjedhjen e Presidentes së re të Kosovës. Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, ka thënë se BE-ja pret rikthimin e stabilitetit institucional në Kosovë, i cili, siç është shprehur, “do të mundësojë përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja”.

(r.m.)