Ambasadori i Shqipërisë në OKB reagon ashpër ndaj krahasimit të Kosovës me Donbasin

Nju Jork, 9 shtator 2023 – Shqipëria, si kryesuese e Këshillit të Sigurimit në OKB, ka thirrur një mbledhje për të dënuar veprimet e fundit të Rusisë në Ukrainë që cënojnë ligjin ndërkombëtar.

Mbledhja e drejtuar nga përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, z. Ferit Hoxha, dënoi veprimin e Rusisë për të mbajtur zgjedhje lokale në territoret e pushtuara në Ukrainë.

Hoxha tha se Rusia shpreson që zgjedhjet në territoret ukrainase demonstrojnë kontrollin e saj mbi këto territore të pushtuara, por ato nuk janë gjë tjetër veçse një marifet propagandistik.

Përfaqësuesi i Shqipërisë kundërshtoi edhet paralelen mes Kosovës dhe Ukrainës që e tërhoqi ambasadori i Rusisë, Vasily Nebenza, i cili tha se shprehja e vullnetit të lirë të popullit të Kosovës u zëvendësua me një deklaratë pavarësie dhe edhe në rastin e zgjedhjeve në Ukrainë u zbatua ligji ndërkombëtar.

Kjo deklaratë e ambasadorit rus hasi në reagimin e ashpër të ambasadorit të Shqipërisë, i cili tha se Rusia po përpiqet ta përdorë Kosovën si mbulesë për agresionin ndaj Ukrainës.

“Asgjë nuk mund të jetë më e pasaktë dhe më larg të vërtetës se paralelja mes Kosovës dhe Ukrainës. Kosova nuk duhet të përdoret dhe nuk do të përdoret si një pistë apo kamuflazh për agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Kosova u bë e pavarur pas luftës së përgjakshme dhe bisedimeve të gjata të paqes, në të cilat ishte pjesëmarrëse edhe Rusia. Gjykata ndërkombëtare vërtetoi se deklarata e pavarësisë ishte në linjë me ligjin ndërkombëtar. Do doja që Rusia të vepronte në të njëjtën mënyrë, në pajtim me ligjin ndërkombëtar, pasi kjo gjykatë e ka nxjerrë një vendim që e ndalon luftën e Rusisë. Është e rëndësishme Kosova dhe Serbia të mos përfshihen në veprime agresive. Ato bisedojnë dhe janë të detyruara të vazhdojnë një proces dialogu për të siguruar të ardhmen e tyre në paqe”, theksoi ambasadori Ferit Hoxha, citon Top Channel.

Përfaqësuesi i SHBA në OKB e mbështeti linjën e Shqipërisë duke u bërë thirrje të gjitha shteteve që të dënojnë shkeljen skandaloze të së drejtës ndërkombëtare nga Rusia. Ai i cilësoi zgjedhjet lokale në territoret e pushtuara të Ukrainës si “njollë në historinë kolektive të OKB-së, si organizatë e themeluar për ruajtjen e paqes botërore” dhe si “sulm ndaj rendit ndërkombëtar”.

Ambasadori amerikan theksoi se OKB nuk duhet të lejojë t’i jepet legjitimitet agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

(r.m.)