Ambasadori Martin Berishaj intervistohet nga Prokuroria Speciale, dyshohet për tri vepra penale

Prishtinë, 29 mars 2024 – Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të premten në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) lidhur me dyshimet për përfshirje në një aferë financiare.

Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media ka njoftuar se tashmë ka përfunduar intervistimi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Në njoftim thuhet se Berishaj dyshohet për tri vepra të ndryshme penale: “shpëlarje e parave”, “shmangie nga tatimi” dhe “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë dhe i të ardhurave”.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘Shpëlarja e parave’, ‘Shmangia nga tatimi’ dhe ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se Berishaj edhe më parë ishte ftuar për intervistim, por ai kishte kërkuar shtyrjen e intervistimit me arsyetim se kishte angazhime në punën e tij si ambasador.

“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Më herët, avokati i Berishajt, Tomë Gashi, ka thënë se klienti i tij kishte paraqitur vetë kërkesë për të dhënë deklaratë sqaruese lidhur me pretendimet se ai ishte i përfshirë në një aferë financiare. Por, ai nuk ka dhënë detaje lidhur me intervistimin.

“Martin Berishaj qysh më 27.01.2023 ka paraqitur kërkesë për të dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet që kanë dalë në media. Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale”, ka shkruar avokati Gashi në Facebook.

Hetuesit e Policisë së Kosovës kanë ngritur kallëzim penal kundër Berishajt para tri javësh. Burime të grupit mediatik “Koha” kanë thënë se hetimet kanë të bëjnë me dyshimet se Berishaj i ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN, me seli në Serbi, gjatë periudhës 2019 – 2022. Sipas këtyre burimeve, këto para janë transferuar në xhirollogari të kompanisë së Berishajt në njërën nga bankat me seli në Kosovë. Transferet janë bërë në emër të pagesës për konsulencë.

Burimet brenda hetuesisë kanë deklaruar se shumat e transfereve kanë qenë nga 20.000 deri në 70.000 euro dhe ato çdo herë janë tërhequr nga Berishaj.

Në kallëzimin penal thuhet se kompania e Berishajt është dashur t’i paguajë 73.000 euro tatime për paratë e pranuara, por nuk e ka bërë këtë.

Sipas burimeve, hetuesia e Kosovës, përmes Njësisë së Inteligjencës Financiare të Ministrisë së Financave, ka kërkuar raport financiar edhe nga Mali i Zi dhe autoritetet malazeze kanë konfirmuar se në xhirollogarin e kompanisë së Berishajt ishin transferuar 1.5 milionë euro nga GEN-i, por nuk është specifikuar koha e transferit të kësaj shume.

Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë me ngulm formimin e një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës, por kjo kërkesë është përfillur nga shumica qeverisëse. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste, i ka dale në krah ambasadorit Berishaj, duke i hedhur poshtë pategorikisht pretendimet e opozitës

Berishaj është ambasador i Kosovës në Kroaci prej vitit 2021. Ai ka shtetësi sllovene dhe shtetësi të Kosovës. Shtetësia e Kosovës i është dhënë atij nga Presidentja Vjosa Osmani, pak kohë para se të dekretohej ambasador në Kroaci.

(r.m.)