AMBASADORI WILLIAM WALKER, NJERIU QË ZGJOI BOTËN PËR KRIMET E LUFTËS NË REÇAK

Nga promovimi i librit të tij “Reçak, historia e një krimi lufte”

 

Nga Fuat Memelli

BOSTON

Kam marrë pjesë në disa promovime librash në Shqipëri dhe Amerikë, por ky i zhvilluar të shtunën e djeshme në kishën e Shën Gjergjit në Boston, më ka lënë mbresa të veçanta dhe jo vetëm  mua, por gjithë pjesëmarrësve. Sekreti i emocioneve që “pushtoi” pjesëmarrësit, kishte dy arsye, së pari se do fliste  91-vjeçari William Walker, i cili kishte parë me sytë e tij dhe kishte dokumentuar masakrën e Reçakut; së dyti, do promovonte këtu edhe librin e tij të jetës prej 376 faqesh, ku një vend të veçantë zinte lufta e Kosovës.

Moderatorja e veprimtarisë  Rafaela Prifti, bija e shkrimtarit të njohur Naum  Prifti, e moderoi bukur veprimtarinë. Megjithë vitet e shumta mbi shpinë, ai fliste si bilbil dhe tregoi jetën e punën e tij në disa vende të botës, por veshët tanë ishin përqëndruar veçanërisht te lufta e Kosovës dhe maskra e Reçakut. Ai vlerësoi kontributin që dhanë figurat e shquara për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër Sërbisë si presidenti Bill Klinton, sekretarja e shtetit Madeleine Albright, kryeministri i Anglisë, Tony Blair, etj, që tok me luftën e UÇK-së, sollën  çlirimin e  Kosovës nga regjimi i egër i Milosheviçit.

Midis të tjerash zoti Walker theksoi: ’’Ka patur masakra të tjera edhe para Reçakut, edhe pas kësaj si ajo në Prekaz te familja e Adem Jasharit, etj, por ajo e Reçakut mori “dhenë” sepse iu prezantua shtypit botëror. Në Reçak nuk kishte asnjë luftëtar të UÇK-së por ishin fëmijë dhe pleq, kështu që doli në dritë të diellit barbaria e genocidit sërb.” Për gjyqin e katër luftëtarëve të UÇK-së në Hagë, ai theksoi se i intereson ta shtyjnë pasi pasi paguhen mirë. Fjala e tij u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e shqiptarëve. Kur i tha pjesëmarrësve: “Ngrini dorën se nga jeni me origjinë?” ata iu përgjigjën: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e veriut e Mali i zi. Një kosovar  nga Prishtina, i quajtur Sab Gashi, më tha: “Unë e ngrita dorën nga të gjitha shtetet që kishte shqiptarë, pasi desha t’i them se në këto treva ku kanë jetuar  shqiptarët unë e quaj Shqipëri. “ Ai më njihte dhe më tha  duke qeshur: “Ti mos e ngre dorën disa herë se të njoh që je nga Prishtina.”

Ambasadori William Walker vlerësoi miqësinë e veçantë që ka me shqiptarët të cilët e duan dhe ai i do shumë, vlerësoi ushqimet shqiptare, këngët e vallet, etj.

Një moment final i veprimtarisë ishte kur rradha e gjatë e pjesëmarrësve u drejtua te ai për të dalë fotografi e për të shkruar në libër autografin e tij. Ishte ky një kujtim i veçantë për gjithë pjesëmarrësit. Dikush e pyeti më parë për statujën e tij në Kosovë dhe tha se kosovarët i kanë ngritur një statujë të madhe në Reçak, dërsa unë dukë marrë autografin e tij, i thashë: Statuja juaj më e madhe është në zemrat e gjithë shqiparëve. Veprimtaria te katedralja e Shën Gjergjit u organizua nga Qendra Kulturore dhe Libraria “Fan Noli”. Një veprimtari e tillë me ambasadorin Walker po dje u organizua edhe nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit, në bashkëpunim me degën e Vatrës në Boston.