Tiranë, 21 qershor 2023 – Gjatë një konference për media në përfundimin e misionit të saj diplomatik në Shqipëri, ambasadorja Kim theksoi se Qeveria e Shqipërisë duhet të vendosë vetë nëse do ta shkëputë marrëveshjen me MEK-un, pas aksionit të djeshëm.
“Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është e qartë, që ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për t’i zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu kushte të caktuara të cilat zbatohen për çdo lloj mysafiri në vendin tuaj dhe këto duhet të respektohen prej tyre”, tha ajo.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha më 20 qershor se nuk është menduar për dëbimin e tyre, por shtoi se “anëtarët e MEK-ut duhet t’i respektojnë ligjet e shtetit shqiptar. Kush nuk i zbaton, duhet të përgjigjet para drejtësisë”.
Ambasadorja amerikane vlerësoi edhe ndihmën që dha Shqipëria duke strehuar shtetasit afganë, por edhe qëndrimin që ka mbajtur në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë.
“Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri s’kanë qenë kurrë më të forta. Kemi bërë progres historik në demokraci, mbrojtje dhe biznes”, theksoi ambasadorja amerikane, duke shtuar se Shqipëria do të jetë aleat i fortë i SHBA-së.
Një theks të veçantë gjatë fjalimit të lamtumirës mori edhe reforma në drejtësi në Shqipëri, për të cilën tha se zbatimi i saj do ta çrrënjosë korrupsionin në vend. Ambasadorja amerikane gjithashtu apeloi që zgjidhja e çështjeve të pronës të jetë në fokusin e politikës dhe autoriteteve vendore.
E emocionuar, ambasadorja Kim e mbylli fjalimin duke vlerësuar edhe mikpritjen që ka gjetur në Shqipëri dhe me thirrjen që të punohet më shumë për të ardhmen e brezave të rinj.
Kim nisi misionin e saj në Shqipëri 3 vjet e gjysmë më parë, ndërsa vendin e saj tani do ta zërë David J. Kostelancik.
Pas largimit nga Shqipëria, ajo do ta mbajë postin e zëvendëssekretares për Çështjet Evropiane në Departamentin amerikan të Shtetit. Në mbyllje të fjalimit dhe konferencës për mediat, Kim tha se “jo të gjithë” do të jenë të lumtur me detyrën e re që ajo do ta marrë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
(Jetmira Delia-Kaci, REL)