Nga Ruben Avxhiu
Statistikat demografike nuk janë optimiste as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse jo aq tronditëse sa ato në Europën Perëndimore apo në Rusi.
Sipas projektimeve të Censusit, në 2035, do të ketë 78 milionë amerikanë mbi 65 vjeç por vetëm 76.4 milionë nën moshën 18 vjeç.
Statistikat shënojnë edhe plakjen e popullsisë që ka emigruar nga vendet e tjera. Komuniteti shqiptar nuk ka statistika të veçanta, por në dekadat e ardhshme do të kalojnë moshën e pensionit shumë nga shqiptarët që erdhën si fëmijë apo u lindën në vitet e emigrimit masiv nëpërmjet Italisë (sidomos pas vitit 1965).
Sot, në SHBA të rinjtë përbëjnë afërsisht mbi 22% të popullsisë, ndërsa të moshuarit, ata mbi 65 vjeç, janë rreth 15%. Po shifra e parë po ulet dhe e dyta do të ngrihet.
Sipas parashikimeve, në vitin 2035, numri i amerikanëve të moshuar do të arrijë numrin e të rinjve nën moshën 18 vjeç e mbas kësaj, të moshuarit do të bëhen grupi më i madh në numër. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim të prirjeve demografike, Amerika do të vijojë të plaket.
Në 2060, raportet do të jenë përmbysur në krahasim me kohën tonë. Të moshuarit do të jenë 23,5&% e popullsisë kurse të rinjtë rreth 19,8%.
Sistemet financiare funksionojnë në mënyrë të atillë që taksat që u mbahen nga rrogat të rinjve shkojnë për të paguar pensionet e të moshuarve. Kur numri i të rinjve bëhet më i vogël se si i të moshuarve, sistemi edhe ashtu në krizë mund të rëndohet shumë më tepër.
21 gushti është Dita e të Moshuarve në SHBA. U shpall si e tillë, në 1988, nga Presidenti Ronald Reagan, për të nderuar kontributin e tyre në shoqëri po edhe për të rritur sensibilizimin për nevojat e tyre në shoqëri.
Mbase jo rastësisht, sepse Reagan është presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai ishte 73 vjeç kur fitoi zgjedhjet për herë të dytë dhe 77 vjeç kur shpalli 21 gushtin si Ditën e të Moshuarve. Suksesi i tij personal në politikë ishte gjithashtu një kujtesë e aftësive që kanë të moshuarit për sukses e kontribute në moshë shumë të shkuar.
Një numër figurash në mbarë vendin janë dëshmi e gjallë e kësaj aftësie. Jimmy Carter 93 vjeç e Henry Kissinger 95 mbeten për shembull dy figura që ende kanë peshë në opinionin publik. Në komunitetin tonë, Sami Repishti ndonëse mbi 90 vjeç shkruan e komenton në media e veprimtari të komunitetit, përfshi edhe në gazetën “Illyria”.
Një numër nismash në Kongresin Amerikan dhe në legjislacionet dhe rregulloret e shteteve, konteve dhe qyteteve po përpiqet të reformojë disa nga shërbimet për të moshuarit në SHBA. Këto ndryshime mund të thellohen me kalimin e viteve për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërisë.