Tiranë, 9 gusht 2025 – Drejtoresha e Përgjithshme e televizionit “News24”, Anila Jole, në një deklaratë për media, e cilësoi ditën e sotme si “ditë të trishtë” për lirinë e medias në Shqipëri.
Jole e cilësoi si të papranueshme ndërprerjen e aktiivitetit të medieve që veprojnë në kuadrin e Shoqërisë “Focus Media News”, pa paralajmërim dhe pa afat për tërheqjen e pajisjeve, bazës së të dhënave dhe teknologjisë televizive, madje edhe të gjërave personale të punonjësve.
“Është e papranueshme që një operator mediatik kombëtar, i pajisur me infrastrukturë teknologjike të specializuar, me vlerë disa milionë euro, të pengohet në ushtrimin e aktivitetit të tij pa asnjë paralajmërim apo afat për të tërhequr pajisjet, bazën e të dhënave të krijuar ndër vite, si dhe sendet personale të punonjësve”, thuhet në reagim.
“Edhe në rastet e zënies së pronës publike nga subjekte të tjera private, është respektuar procedura e njoftimit paraprak zyrtar dhe publik. Në këtë rast, kjo procedurë nuk është zbatuar”, thekson Drejtoresha e Përgjithshme e televizionit “News24”, Anila Jole.
REAGIMI I PLOTË:
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, ambientet e televizionit News24 u bllokuan nga forcat e Policisë së Shtetit, në prani të z. Ardi Veliu, përfaqësues i shoqërisë “Kayo sha”.
Shoqëria “Focus Media News” sh.p.k., që nga viti 2002, ka respektuar me përpikmëri të gjitha detyrimet kontraktuale të parashikuara në marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës. Deri në momentin e ndërhyrjes, nuk është marrë asnjë njoftim zyrtar, verbal apo me shkrim, për lirimin e ambienteve.
Veprimet e ndërmarra nga z.Ardi Veliu dhe shoqëria “Kayo sha” përbëjnë shkelje të hapur të të drejtës legjitime të përdorimit të këtyre ambienteve nga “Focus Media News” sh.p.k., e cila i shfrytëzon ato në bazë të një marrëveshjeje qiraje në fuqi dhe në këmbim të pagesës mujore të rregullt.
Është e papranueshme që një operator mediatik kombëtar, i pajisur me infrastrukturë teknologjike të specializuar, me vlerë disa milionë euro, të pengohet në ushtrimin e aktivitetit të tij pa asnjë paralajmërim apo afat për të tërhequr pajisjet, bazën e të dhënave të krijuar ndër vite, si dhe sendet personale të punonjësve.
Edhe në rastet e zënies së pronës publike nga subjekte të tjera private, është respektuar procedura e njoftimit paraprak zyrtar dhe publik. Në këtë rast, kjo procedurë nuk është zbatuar.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe shoqëria “Panorama Group” sha, ambientet e së cilës janë zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Aktualisht, stafi redaksional po kryen detyrën në kushte tepër të vështira, duke vijuar transmetimin e informacionit për publikun, pavarësisht pengesave të shkaktuara.
(r.m.)