Antonio Costa në Tiranë: Sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit janë thelbësore për anëtarësim në BE

Tiranë, 2 qershor 2026 – Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, qëndroi sot në Tiranë, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, në konferencën e përbashkët për medie, Costa tha se Shqipëria i ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grup kapitullin e parë mbi “Themeloret”. Ai tha se kjo tregon se shtetet anëtare të BE-së kanë vlerësuar angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në procesin e integrimit, duke hapur kështu një fazë të re të reformave.

“Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grup kapitullin e parë për Themeloret. Kjo tregon se shtetet anëtare kanë vlerësuar angazhimin për të ecur përpara drejt BE. Ky është fillimi i një faze tjetër impenjative, që do të përqendrohet te çështja e zbatimit dhe historiku që do të ketë Shqipëria”, tha ai.

Costa i bëri thirrje qeverisë së Shqipërisë për për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdimin e reformave në drejtësi. Ai theksoi se sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit është ndër kriteret thelbësore për anëtarësim në BE.

“Këto reforma, më shumë sesa kushte të vendosura nga BE, janë zgjedhje nga ana juaj për institucione të forta demokratike. Që dmth një angazhim i vazhdueshëm politik për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e një gjyqësori të pavarur janë themelore thelbësore për anëtarësimin”, tha ai.

“Ju inkurajoj që të përshpejtoni përopjekjet tuaja për luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi ai.

Presidenti i Këshillit të Evropës tha se ai ka filluar të lexojë autorë shqiptarë. Ai thase deri më tash e ka lexuar Lea Ypin dhe se ka në plan të lexojë librat e Kadaresë.

“I dashur Edi, ti ke një traditë të më sugjerosh libra. E kam lexuar Lea Ypin. Edhe librat e Kadaresë i kam në planin tim. Ne kemi një histori të gërshetuar dhe po e formësojmë të ardhmen tonë të përbashkët europiane”, u shpreh ai.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, do të qëndrojë të mërkurën në Prishtinë, ku pritet të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

(r.m.)

Comment

*