Antonio Costa shpreh shqetësimet për veprimet secesioniste të Republikës Sërpska

Sarajevë, 13 maj 2025 – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë një vizite në Sarajevë më 13 maj, shprehu shqetësim për, siç i quajti ai, “veprimet secenioniste të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si “kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës”.

“Erdha në Sarajevë për të përcjellë një mesazh shqetësimi për lëvizjet secesioniste në Republikën Sërpska,” deklaroi Costa, duke theksuar se tensionet politike po pengojnë bashkëpunimin e brendshëm dhe përparimin në rrugën evropiane.

Ai bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe për një angazhim të sinqertë të liderëve politikë drejt reformave.

Costa rikujtoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Bosnjë e Hercegovinës dhe u shpreh i zhgënjyer që, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku vend ende nuk përfiton nga fondet e Planit të Rritjes.

“Qytetarët e Bosnje e Hercegovinës mund të paguajnë një çmim të lartë, nëse nuk shfrytëzohen mundësitë që ofron BE-ja”, tha ai, duke theksuar se një miliard e 85 milionë euro ndihma mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së reformave.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhanë mesazhe të kundërta.

Kryesuesja e radhës e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, kërkoi që dialogu me BE-në të zhvillohet pa përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, duke fajësuar ndërhyrjet e huaja për krizën politike.

Në anën tjetër, Denis Beçiroviq e akuzoi drejtpërdrejt presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, për bashkëpunim me Rusinë dhe përpjekje për të destabilizuar vendin, duke e quajtur “marionetë të Moskës”.

Ai shtoi se përfaqësuesi i lartë nuk ka shkaktuar krizën, dhe se është e nevojshme të dërgohen forca të përshtatshme në kufi.

Bashkimi Evropian kërkon nga Bosnja dhe Hercegovina të miratojë dy ligje dhe të emërojë kryenegociatorin për të mundësuar mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Megjithatë, për shkak të bllokadës së pushtetit shtetëror dhe ngërçit politik, rruga evropiane është shtyrë. Bosnje e Hercegovina është në procesin e përmbushjes së 14 prioriteteve të kërkuara nga Komisioni Evropian për të avancuar në këtë drejtim.

(Radio Evropa e Lirë)