Antony Blinken do ta vizitojë Shqipërinë, javën e ardhshme

Uashington, 9 shkurt 2024 – Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Shqipëri dhe në Gjermani prej 14 deri më 17 shkurt.

Në njoftim thuhet se Sekretari Blinken “do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”. Ndërkaq në Gjermani do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, si pjesë e delegacionit amerikan të kryesuar nga zëvendëspresidentja Kamala Harris.

Gjatë qëndrimit në Mynih, ai do të ketë takime dypalëshe me zyrtarë të lartë pjesëmarrës, për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Njoftimi i DASH-it:

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt.

Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Në Mynih, Sekretari Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit amerikan të kryesuar nga zëvendëspresidentja Kamala Harris.

Sekretari do të mbajë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike.

Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin.

(r.m.)