AP e KE voton sot për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë

Strasburg, 16 prill 2024 – Asambleja Parlamentare (AP) e Këshillit të Evropës (KE) pritet të hedhë në votim të martën raportin mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë këshill, mes reagimeve të ashpra të Serbisë.

Raporti duhet të votohet nga dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë parlamentare, për t’i hapur rrugën vendimit përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës, që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur besimin se Asambleja parlamentare do të votojë në favor të raportit të zonjës Dora Bakoyannis, i cili u miratua me 27 mars nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci.

Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një levë për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Autoritetet në Serbi që janë vënë në një fushatë për të parandaluar këtë proces, theksojnë se do të luftojnë për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës dhe argumenti kryesor sipas tyre është “mosthemelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Zyrtarë të qeverisë serbe thanë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u ka nisur letër disa vendeve evropiane për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me gjithë thirrjet perëndimore për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*