AP e miraton rezolutën për anëtarësimin e Palestinës në OKB, SHBA thotë se do të vë veto në KS

Nju Jork, 10 maj 2024 – Asambleja e Përgjithshme (AP) e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e miratoi sot (e premte) një rezolutë që i bën thirrje Këshillit të Sigurimit (KS) të kësaj organizate të rishqyrtojë anëtarësimin e Palestinës në OKB, raporton CNN.

Për rezolutën votuan 143 vende, kundër votuan 9, ndësa abstenuan 25 vende.

Rezoluta i bën thirrje Këshillit të Sigurimit që ta “rishqyrtojë çështjen me prioritet dhe në mënyrë pozitive” ndërsa thekson që Autoriteti Palestinez të pranohet në OKB, duke thënë se “Shteti i Palestinës është i kualifikuar për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”.

Përpara fillimit të sesionit të OKB-së, Misioni i SHBA-së në OKB tregoi se nëse rezoluta do të miratohej dhe aplikimi për anëtarësim do të dërgohej në KS, SHBA-të do të vendosnin përsëri veto, duke shtuar se SHBA pret përsëri “një rezultat të ngjashëm me të muajit prill”.

Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se Autoriteti Palestinez nuk i plotëson kriteret për anëtarësimin në OKB dhe se rezoluta nuk i zgjidh shqetësimet e ngritura më parë në lidhje me anëtarësimin palestinez.

Në muajin prill, Autoriteti Palestinez ridërgoi kërkesën për anëtarësim, kurse SHBA vuri veto ndaj përpjekjes palestineze për të arritur statusin e anëtarësimit. Izraeli e lavdëroi qëndrimin e SHBA-së, duke e cilësuar si “kërkesë të turpshme” kërkesën palestineze, ndërsa presidenca e Autoritetit Palestinez e cilësoi veton e SHBA-s٥ si “të padrejtë, imorale dhe të pajustifikuar”.

Në shtator të vitit 2011, Autoriteti Palestinez nuk arriti ta fitonte njohjen e OKB-së si shtet i pavarur. Një vit më vonë, OKB-ja vendosi që statusi i Autoritetit Palestinez të ndryshohej nga “entitet vëzhgues jo-anëtar” në “shtet vëzhgues jo-anëtar”, ngjashëm me statusin që e ka në OKB Vatikani.

(r.m.)