Prishtinë, 23 gusht 2021 – Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili në shkurt të këtij viti ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Gjakovë, nën akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës në fjalë.
Në rigjykim është kthyer edhe pjesa ndaj ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune Gani Rama dhe Ismet Isufi. I akuzuari Rama ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht.
Ndërsa, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga dhe të njëjtin e ka dënuar me 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht.
Dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.
I akuzuari Hajdaraga është obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24,718.59 euro., në afat prej 6 muajsh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në gusht të vitit 2019, lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema, pasi sipas tij, këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.
Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte liruar atë dy herë nga akuza.
Gjykata Themelore në Gjakovë, më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.
Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Më pas, Gjykata e Apelit, më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke e aprovuar kështu ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 26 maj 2016, Gani Rama, po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.
Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë 218.956.67 euro.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.
Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.Sipas aktakuzës, subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.
Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarje në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.
I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.
Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.
Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.
(Betimi per Drejtesi)