Tiranë, 24 nëntor 2023 – Apeli i Gjykatës së posaçme Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) e rrëzoi sot kërkesën e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish kryeministrit Sali Berisha, për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e tij.
Një numër i madh apartamentesh, lokalesh dhe llogarish bankare u bllokuan pak javë më parë më vendim të gjykatës, pasi zoti Malltezi u arrestua nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, në kuadër të hetimit mbi procedurat e privatizimit të ish Klubit sportiv Partizani në Tiranë.
Pak ditë më parë e njëjta gjykatë dha një masë më të lehtë sigurie ndaj tij, atë të “arrestit në shtëpi”.
Hetimi ka përfshirë dhe zotin Berisha i cili dyshohet për “korrupsion”, duke favorizuar sipas i Prokurorisë së posaçme zotin Malltezi, përmes ndryshimeve ligjore apo vënies së institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të dhëndrit të tij, një ndër ish pronarët e truallit.
Si zoti Berisha ashtu dhe zoti Malltezi i ishin drejtuar Apelit të posaçëm për të kërkuar shuarjen e masës së sigurisë, pasi sipas avokatëve gjykata kishte tejkaluar afatet e zbardhjes së vendimit, por Gjykata rrëzoi sot të dyja kërkesat duke lënë në fuqi masat ekzistuese.
Zoti Berisha nga ana e tij ka refuzuar publikisht zbatimin e vendimit të Gjykatës për t’u paraqitur dy herë në javë pranë një oficeri të Policisë gjyqësore. Kodi i Procedurës Penale parashikon që në një rast të tillë “Gjykata mund të vendoië një masë tjetër më të rëndë”. Por deri më tani as Prokuroria dhe as Gjykata e Posaçme nuk kanë dhënë asnjë koment mbi situatën e krijuar në rastin e zotit Berisha.
Ish kryeministri e ka justifikuar refuzimin e tij me argumentin se masat e sigurisë janë dhënë në shkelje të plotë të Kushtetutës, pasi sipas tij do të duhej të ishte kërkuar paraprakisht autorizimi nga ana e parlamentit. Ai e ka shoqëruar kundërshtimin e tij me një gjuhë mjaft të ashpër ndaj prokurorëve që kanë hetuar rastin por dhe ndaj gjyqtares që ka konfirmuar aktet dhe veprimet e Prokurorisë. Edhe sot deklaroi se nuk është ai që po sulmon SPAK-un, por se është kjo strukturë që “që shkelmon dhe vetëposhtëron veten, në një pozicion mercenari, si një organizatë kriminale në veprimet e tyre”. Etiketimet fyese dhe sulmet ndaj SPAK-ut, kanë qenë pjesë dhe e deklaratave të mbështetëve të ndryshëm të zotit Berisha.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi sot përmes një deklarate duke u shprehur se “dënon çdo shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë – vijon deklarata – ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta”.
Dy ditë më parë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor foli për “sulme mediatike, të pajustifikuara ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, që përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar intimidimin, kërcënimin dhe ndikimin e paligjshëm të tyre nëpërmjet përndjekjes mediatike”.
(Zëri i Amerikës)