Apeli ia ul për 5 vjet dënimin me burgim Françesko Beketit

Tiranë, 30 shtator 2025 – Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi të martën më 30 shtator lehtësimin e dënimit ndaj biznesmenit Italian, Françesko Beketi, i shpallur në kërkim nga Shqipëria që prej vitit 2015 për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, krijimit të skemave mashtruese, pastrimit të parave dhe falsifikimit. Ai u dënua për këto akuza në Shkallën e Parë me 17 vite burgim më 23 shkurt të vitit 2022. Të martën, trupi gjykues i Apelit i përbërë nga gjyqtari Genti Shala në cilësinë e relatorit dhe anëtarë Brikena Ukperaj e Dritan Hasani, vendosi ndryshimin e vendimit duke e dënuar Beketin me 12 vjet burg. Po ashtu, u ul masa e dënimit ndaj partnerit të tij në biznes, Mauro de Renzis, nga 16 vjet burg në 12 vjet heqje lirie.

Për të pandehurit e tjerë, Eriona Troplini dhe nënën e Beketit, Liliana Condimitti u la në fuqi masa e dënimit me nga 8 vjet burg për secilën. Gjithashtu, nuk u ndryshua dënimi i të pandehurve për falsifikim të dokumenteve, Stavri Peçi me 2 vjet burg dhe Fetah Dervishi 3 vjet – masë që është pezulluar dhe të gjykuarit janë vendosur në shërbim prove në shkallë të parë.

Ndërkohë, Apeli ka prishur vendimin e shkallës së parë lidhur me çështjet penale në ngarkim të shoqërive të zotëruara nga të dënuarit të cilat janë marrë të pandehura, duke i përjashtuar ato nga përgjegjësia për disa vepra penale.

Sipas vendimit të Apelit, pushohen çështjet penale në ngarkim të shoqërisë “Kalivaç Green Energy” sh.p.k, për sa i përket veprës penale “Falsifikim i dokumetave” dhe kompanisë “Energy” sh.p.k, për sa i përket veprës penale “Falsifikim i dokumetave” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.

Akuzat ndaj biznesmenit italian, Beketi, i cili pati marrë një të drejtë koncesionare nga shteti shqiptar për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç në fund të viteve 90’, u bënë zyrtare në vitin 2015. Veç akuzave ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve, prokuroria vuri në sekuestro edhe një sërë biznesesh përfshi televizionin “Agon Channel”. Çështja u bë pjesë e debatit politik në vend, pasi opozita akuzoi kryeministrin se po i mbyllte gojën një televizoni kritik.

Beketi i ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se ishte persekutuar politikisht nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria.

Vendimi ndaj Beketit nuk u ekzekutua asnjëherë prej vitit 2015, ndërkohë që ai fitoi në arbitrazh ndërkombëtar 110 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratave dhe sekuestron ndaj pasurive të tij.

(Reporter)