Apeli lë në fuqi dënimin e Fatos Tushes për fshehje të pasurisë

Tiranë, 18 qershor 2025 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për deklarimin fajtor të ish-kryebashkiakut socialist të Lushnjes, Fatos Tushe për fshehje pasurie dhe dënimin e tij me 1 vit burgim, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për 2 vjet. Vendimi është marrë të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi dhe anëtarë gjyqtarët Engert Pëllumbi e Igerta Hysi.

Tushe u shpall fajtor për shehje pasurie në tetor të vitit të kaluar, ndërsa ishte dënuar në 2022-in për shpërdorim detyre. Nga hetimi dhe gjykimi rezultoi se Fatos Tushe dispononte “de facto” një apartament në Lungomare të Vlorës me sipërfaqe 82.33 m2, pasuri për të cilën nuk ka deklaruar shpenzimet për blerjen, për punimet dhe mobilimin. Po ashtu, nuk ka deklaruar blerjen e dy automjeteve në vitin 2021 dhe një borxh të marrë sipas një deklarate noteriale të 2020-ës.

Shqyrtimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, prej nga Tushe përfitoi 1/3-ën e uljes së dënimit. Gjykata vendosi edhe konfiskimin e apartamentit në Vlorë dhe kalimin e kësaj pasurie në favor të shtetit.

Tushe u arrestua në vitin 2021, në një nga operacionet më të hershme të SPAK, pasi hetimet e kryera përmes përgjimeve dhe analizimit të dokumenteve zbuluan një skemë të manipulimit të tenderëve dhe vjedhjes së karburantit të blerë për përdorim të bashkisë. Gjatë procesit gjyqësor, Tushe doli i pafajshëm për akuzën e korrupsionit dhe u dënua me 2 vjet e 4 muaj për abuzim me detyrën. Ai përfundoi dënimin dhe u lirua nga burgu në janar 2023.

Fatos Tushe ka qenë kryebashkiak jetëgjatë i Bashkisë Lushnje nga viti 2007 deri në vitin 2009 dhe nga viti 2011 deri në vitin 2021 kur u shkarkua për shkak se u arrestua nga SPAK. Ai ka qenë deputet socialist mes viteve 2009 dhe 2011.

(Reporter.al)