Apeli lë në fuqi dënimin e Jorgo Goros, ia konfiskon një apartament

Tiranë, 22 korrik 2025 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 22 korrik lënien në fuqi të vendimmarrjes së Shkallës së Parë ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, për tjetërsimin e pronave në bregdet, por në ndryshim ka vendosur konfiskimin e një apartamenti të regjistruar në emër të një personi të lidhur, si dhe ka rrëzuar ankimin e një shoqërie.

Më 13 mars, Goro u deklarua fajtor në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për shpërdorim detyre në dy raste dhe dënimin e tij më 3 vjet e 1 muaj burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 20 ditë heqje lirie. Goro u akuzua se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara mundësoi kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë në favor të privatëve, prona të zotëruara nga një shoqëri e Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili fitoi statusin e investitorit strategjik nga qeveria Rama. Këto prona që u sekuestruan më parë me kërkesë të SPAK, u vendos në shkallën e parë konfiskimi dhe kalimi i tyre për llogari të shtetit.

Goro u akuzua dhe për fshehje e mosdeklarim të një apartamenti. Megjithëse prokuroria pretendoi se ishte pasuri e fshehur e Goros, Shkalla e Parë i hoqi masën e sukestros dhe ia ktheu personit në emër të të cilit është e regjistruar. Përfaqësuesi ligjor i Goros, avokati Sokol Hazizaj argumentoi ndër të tjera gjatë konkluzioneve përfundimtare se apartamenti është i regjistruar në emër të biznesmenit Gentian Sula dhe nuk mund të jetë pasuri e fshehur e të mbrojturit prej tij, edhe nëse do të ishte poseduar në forma të ndryshme.

Fajtorë në këtë proces u deklaruan dhe ish-drejtori i Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Bashkinë Himarë, Jerasimo Bashi që u dënua përfundimisht me 2 vjet burg dhe juristi i hipotekës, Vezir Gjikolaj, ndaj të cilit u caktua masa 1 vit e 4 muaj burgim.

Trupi gjykues i Apelit të Posaçëm i kryesuar nga gjyqtarja Daniela Shirka dhe me anëtarë gjyqtarët Dhimitër Lara e Miliana Muça, la në fuqi dënimet e caktuara nga Shkalla e Parë, ndërkohë që nuk gjeti të drejtë dhe ndryshoi vendimarrjen përsa i përket apartamentit të sekuestruar duke urdhëruar konfiskimin e tij. Po ashtu, u ndryshua vendimmarrja edhe lidhur me ankimin e një shoqërie, duke mos e pranuar atë.

Hetimi ndaj Goros zbuloi se ai ishte pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet, në pronësi fundore të Artan Gaçit.

Në një tjetër episod u konstatuan paligjshmëri në konfirmimin një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë, krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.

Goro është nënë hetim dhe për një çështje tjetër penale, ku ai është marrë i pandehur për shpërdorim detyre së bashku me dy vartës të tij, lidhur me procedurat e marrjes së tokës nga familjet bujqësore, si dhe në procedurat e kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve.

(Reporter.al)