Tiranë, 18 qershor 2025 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mërkurën që të rikthejë në qeli ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, pasi e dënoi atë me 2 vjet e 4 muaj burg për veprën penale të korrupsionit.
Vendimi u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi me anëtarë Igerta Hysi dhe Iliriana Olldashi.
Ish-prokurori Hasa u arrestua në vitin 2021 nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e korrupsionit pasiv në lidhje me një procedim penal për trafik narkotikësh. Por çështja kaloi më pas përmes një sage gjyqësore.
Në maj 2022, Gjykata e Posaçme e dënoi Hasën me 2 vjet burg për veprën penale të korrupsionit. Gjithashtu, shkalla e parë vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e tij në shërbim prove.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit e gjeti fajtor ish-prokurorin edhe për akuzën e fshehjes së pasurisë dhe e dënoi atë në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 2 vjet e 4 muaj burg.
Vendimarrja e Apelit u prish nga Gjykata e Lartë në nëntor të vitit të kaluar, ku shumica e Kolegjit Penal e përbërë nga gjyqtarët Medi Bici dhe Vojsava Kola vendosi ta rikthejë çështjen për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues. Shumica vlerësoi se rekursi i paraqitur nga Hasa përmban shkaqe që kishin të bënin me pamjaftueshmëri arsyetimi në standardin “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
Por me rikthimin e çështjes në Apel, Hasa mori të njëjtën masë dënimi si më parë.