Rafaela Prifti
Firma për Marrëdhënie Publike Prism Group ka deklaruar në regjistrin e agjencisë FARA pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë se është angazhuar me kontratë 150 mijë dollarëshe nga z. Arben Ahmetaj. I kërkuar nga drejtësia shqiptare për korrupsion dhe abuzim detyre, ish zëvendës Kryeministri i Shqipërisë Ahmetaj kërkon të pastrojë emrin nga akuzat “e pavërteta” në Shqipëri. Nga i njëjti dokument mësohet se ai strehohet në Lugano të Zvicrës.
Z. Ahmetaj, në arrati nga drejtësia shqiptare, nga qershori i vitit të kaluar është akuzuar për vepra penale të korrupsionit, shpërdorim detyre dhe pastrim të parave. Në raportin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK, thuhet se ai dhe familjarë të tij kanë përfituar vila dhe pagesa me vlerë qindra mijëra euro nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ky i fundit në arrati nga drejtësia shqiptare.
Në intervistën e para pak ditëve në Syri Televizion, z. Ahmetaj e quajti hetimin e SPAK-ut “të motivuar politikisht.” “Raporti i SPAK-ut nuk përmban prova të fajësisë sime,” tha ai. Deklaratën e tij e mbështet zyra avokatore me reputacion Nixon Peabody, e cila, e paguar nga z. Ahmetaj, paraqiti përfundimet e veta, në nëntor 2023, si pjesë e shqyrtimit nga një palë e pavarur e dokumentacionit të publikuar nga SPAK. Ekspertët amerikanë që analizuan përmbajtjen e dosjes Ahmetaj nuk gjetën prova të mirëfillta të korrupsionit publik që përmbushin kriteret e shkeljes penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Z. Ahmetaj, i cili vazhdon të mbrojë pafajësinë e tij, tha se e ka dërguar këtë raport te Kryetarja e Parlamentit, Kryetari i SPAK-ut, midis të tjerëve dhe se nuk ka marrë asnjë përgjigje. Gjatë intervistës ai ‘sfidoi’ SPAK-un dhe drejtësinë shqiptare që në rastin e incineratorit të Tiranës të ushtrojnë praktikën e “ndjekjes së parave” duke deklaruar se rezultatet e një hetimi të tillë “do t’i tronditi shqiptarët”.
Zyrtarisht, SPAK është ende duke e hetuar në shumë drejtime skandalin e incineratorëve, që u ka kushtuar shqiptarëve deri më sot minimalisht 150 milionë euro. Veçmas, Ahmetaj akuzohet për abuzim detyre.
Prism Group, kompania e kontraktuar në Uashington nga z. Ahmetaj, thotë në deklaratën e saj në Regjistrin e Agjentëve të Huaj, FARA, në SHBA se “do të advokojë për llogari të dy individëve të huaj: Arben Ahmetaj dhe Erjola Flamur Hoxha, të dy shtetas shqiptarë”. Për këtë, Prism Group do “të kontaktojë anëtarë të ekzekutivit dhe legjislativit të qeverisë së shtetit amerikan në përmbushje të detyrimeve kontraktore”. Synimi është “t’i hapë sytë atyre mbi akuzat penale të pavërteta të ngritura kundër klientit të tyre nga Qeveria e Shqipërisë”.
Për sa i takon kontratës, z. Ahmetaj merr përsipër të paguajë 50 mijë në momentin e nënshkrimit, dhe katër këste nga 25 mijë dollarë çdo muaj deri në korrik. Ahmetaj, nga ana e tij, ngul këmbë se ‘kjo nuk është drejtësia e re’ të cilën ai vetë e ka ndihmuar të ndërtohet dhe ta propagandojë si anëtar qeverie dhe i strukturave partiake prej tre dekadave. Intervistuesi Peka në disa momente i përsëriste z. Ahmetaj se kundërshtimet dhe kritikat ndaj drejtësisë po vijnë vetëm tani si rrjedhojë e situatës kur ai gjendet i akuzuar dhe kërkuar prej organeve të drejtësisë së Shqipërisë. Megjithatë të dy, si i intervistuari dhe intervistuesi, pajtoheshin në pikën se sistemi i drejtësisë dhe të ashtuquajturat reforma juridike në Shqipëri kanë qenë farsë. Dëmi nuk prek vetëm organet e drejtësisë por të gjitha nivelet e shoqërisë. Drejtësia e politizuar nuk është dukuri e re në historinë e Shqipërisë. Por duke humbur besimin tek drejtësia e vendit, edhe vetë anëtarët e qeverisë që kanë kontribuar në reformat e gjata juridike në Shqipëri, dalin të kërkojnë mbrojtje, azil dhe këshillim ligjor jashtë dhe pikërisht në shtete ku sundon ligji. Ironia është se për ta ruajtur drejtësinë nga kontrolli i politikës më në fund u arrit te SPAK që krijonte te shqiptarët pak shpresë se rrotat e drejtësisë do lëviznin pa u lyer nga pushtetarët dhe politikanë të karrierës. Arrestimi i një ministri për korrupsion dhe keqpërdorim detyre apo një sekuestrim prone i një biznesmeni jepnin shenja pozitive në publik. Por shpejt u duk se SPAK nuk kishte këllqe për shefat e ministrave dhe bosat e bosave. Dhe askund nuk u duk kjo më qartë se te “afera e incineratorëve” aty ku lakmia, babëzitja dhe shpërfillja për ligjin kanë arritur përmasa të papara. Por kur zhurma bëhet aq e madhe sa nuk mban më, duhet bërë një sakrificë nga ata që janë lart.
“Koka e turkut” siç u shpreh Ahmetaj në intervistë, i cili gjatë karrierës së tij shumëvjeçare në pushtet ka parë plot të tilla, është ai vetë.
Në linjë kohore veprimet kanë ecur shpejt: në korrik 2023 SPAK-u paraqiti në Parlamentin e Shqipërisë raportin e hetimeve, ashtu si mundi, për abuzimet e z. Ahmetaj, brenda javës ish-zëvendës kryeministrit Ahmetajt iu hoq imuniteti si deputet, disa javë më pas, ai dhe e shoqja rastisin të jenë me pushime jashtë shtetit, sipas Ahmetajt, kur del urdhër-arresti për të; nga ai moment është në arrati, dhe siç u mor vesh nga dokumentet e bëra publike, ndodhet me familjen në Lugano, Zvicër. Prej aty ai ka kërkuar shqyrtim nga palë e pavarur për raportin e SPAK-ut sepse në muajin nëntor 2023 publikohet vlerësimi i Nixon Peabody për “hetimin e dobët dhe me motive të dyshimta e të paqarta nga SPAK”. Firma i kërkon SPAK-ut ta ndërpresë vazhdimin e hetimit në mungesë të provave bazë. Pas pak muajve, në shkurt 2024, del publikisht dokumenti i lidhjes kontraktuale të Prism Group nga z. Ahmetaj për ta pastruar emrin nga akuzat në Amerikë. Përse? A sinjalizon kjo se z. Ahmetaj po mendon të kërkojë azil politik në Shtetet e Bashkuara? Apo do t’i dalë përpara rrezikut të emërtimit persona non grata si Sali Berisha? Apo të dyja? A mund ta arrijë Ahmetaj atë që janë përpjekur ta bëjnë, pa rezultate të qarta, politikanë të tjerë shqiptarë përpara tij për të ndikuar mbi qeverinë amerikane për problemet e tyre me drejtësinë në Shqipëri si ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri?
Deri tani SPAK, që është ngritur me synimin për të luftuar korrupsionin publik është kritikuar për veprime të ngadalshme, për aplikime dy-standartëshe të kritereve në hetime etj. Por çështja e incineratorëve në Fier, Elbasan dhe ai imagjinari në Tiranë duket se ia ka zbuluar maskën duke e treguar Prokurorinë e Posaçme të ndikueshme dhe vegël të regjimit Rama, ish-bosit të Ahmetajt dhe mikut të ngushtë, siç ka pohuar vetë Kryeministri i Shqipërisë. Ende nuk është qartësuar arsyeja e armiqësimit të Ramës me Ahmetajn – që logjikisht çoi në mobilizimin e prokurorisë për ndjekjen penale të numrit dy. Gjatë bisedës tek Syri, sa herë pyetej për këtë, z. Ahmetaj fliste me gjuhë të përgjithshme për naivitet dhe besnikëri.
Në momente të caktuara, ai paraqitej si viktimë, minutën tjetër hero pa dashje ose së paku aleat i “drejtësisë së vërtetë” në Shqipëri dhe shpesh përsëriste se është rast i veçantë për drejtësinë shqiptare. Ai do donte të ishte. Për disa muaj me radhë, do sjellim në mend shumë pyetje që presin përgjigje. A do ta çoi fushata e nisur në arrati për të pastruar emrin te figura e “flamurmbajtësit” për drejtësinë që duhet të kishte Shqipëria? Rrethanat aktuale e kanë kthyer në kritikues të fortë të SPAK-ut; por në momentin kur kompania e marrëdhënieve publike në Amerikë mund t’i japë efektin e dëshiruar prej tij, heroi i kujt do të provohet të jetë z. Ahmetaj? Çfarë do arrij të blej ai me 150,000 dollarë në Amerikë? Sa anëtarë qeverie dhe deputetë të tjerë shqiptarë do ndjekin rrugën e tij të arratisë pasi të jenë kërcënuar apo të shpallen të kërkuar nga drejtësia që ata vetë e ndihmuan të ngrihej në Shqipëri?