Tiranë, 28 maj 2024 – Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) njoftoi se arbërishtja tashmë është gjuhë zyrtare në kanalet e RAI Calabria, në Itali
Sipas QSPA-së, në Gazetën Zyrtare me nr. 121 të publikuar më 25 maj 2024, thuhet që gjuha arbëreshe do të jetë gjuhë zyrtare në shërbimet e gazetarisë dhe programet e RAI Calabria, në Itali.
Kjo arritje historike për komunitetet arbëreshe të Italisë do të shtrihet edhe në rajonin e Piemonte-s.
Kontrata e Shërbimit për programet e RAI Calabria për vitet 2023-2028 e zyrtarizon përdorimin e arbërishtes si gjuhë të pakicës gjuhësore historike arbëreshe, e njohur me ligjin nr. 482/99.
QSPA përmes aktiviteteve e konferencave ndërkombëtare që organizon prej 4 vjetësh, ka theksuar se përdorimi i arbërishtes në nivel komunitar, institucional dhe shkencor është një çështje jetike për komunitetet e arbëreshëve të Italisë.
Me zyrtarizimin e arbërishtes në programet e RAI Calabria bëhet realitet Ligji 103/75 për reformën e RAI, të miratuar para 49 vjetësh.
Ky konsiderohet hapi i parë i rëndësishëm që duhet të marrë çështja e gjuhës së arbëreshëve edhe në fushën e arsimit në Itali.
(r.m.)