Ardian Gjini zgjidhet kryetar i AAK-së, premton vazhdimësi të rrugës së Haradinajt

Prishtinë, 24 maj 2026 – Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, të dielën.

Gjini, i cili është edhe i nominuari i AAK-së për kryeministër, ka thënë se ndihet krenar për besimin që i është dhënë dhe për rrugëtimin politik të partisë.

“Është krenari me qenë një prej jush, është krenari me qenë pjesë e kësaj partie kaq të jashtëzakonshme, e njerëzve kaq të jashtëzakonshëm. Shumë faleminderit secilit prej jush”, ka thënë ai.

Gjini ka thënë se AAK-ja nuk po e nis nga fillimi rrugëtimin e saj në jetën politike, por po e vazhdon atë që është krijuar ndër vite.

“Nuk jemi duke u nisur prej tokës, por prej një ndërtese të jashtëzakonshme që e kemi ndërtuar së bashku me ju, kryetar. Po nisemi prej besimit që e kemi për Kosovën, prej bindjeve që i kemi ndërtuar me qindra e mijëra njerëz në Kosovë. Nuk jemi duke u nisur prej zeros dhe kjo na jep forcë, Ne mundemi. Aleanca mundet. Kosova mundet. Kosova ka njerëz. Aleanca ka njerëz”, ka thënë ai.

Kryetari i ri i AAK-së ka thënë se partia do të vazhdojë rrugëtimin politik të nisur nga kryetari I saj i derisotëm, Ramush Haradinaj.

“Ai nuk ka qenë vetëm kryetar partie. Ai është simbol i Kosovës, simbol i lirisë dhe i politikës së mençur që ka ndodhur në Kosovë për më shumë se 30 vjet”, ka theksuar ai.

“Jam absolutisht i bindur që historia e Kosovës dhe e Ramush Haradinajt do të shkruhet me shkronja të arta”, ka shtuar ai.

Gjini ka thënë se AAK-ja do të vazhdojë kursin e saj politik dhe vizionin e saj për të ardhmen e Kosovës.

“Energjia, siguria dhe zhvillimi është slogani ynë, me një konotacion perëndimor. Por, mos harroni, shtyllat që na bëjnë të ndihemi mirë pse e duam Amerikën dhe Evropën janë të rëndësishme për Kosovën dhe duhet të forcohen më shumë”, është shprehur ai.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e AAK-së në shkurt të këtij viti. Ai i ka dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë pasardhësit të tij në krye të partisë.

“Sot, kryetar Ardian, unë dhe Aleanca besojmë te ti. Besojmë se do të jesh prijësi ynë, prijësi i Kosovës, prijësi i listës sonë më të mirë. Ashtu siç e kam besuar veten në rrugëtimin tim, ashtu i besoj Ardianit dhe Aleancës”, ka thënë Haradinaj.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve në Kosovë dhe në diasporë që të mbështesin vizionin e AAK-së.

“Qytetarë të Kosovës, vëllezër e motra në diasporë, ju jeni gjaku ynë dhe kurrë nuk ndaheni prej nesh. Shërbeni Kosovës, shërbeni me votë për dy të tretat për listën e Aleancës. Unë i shërbeva Kosovës me moskandidimin tim, por ju ftoj ju të vazhdoni këtë rrugë,” është shprehur Haradinaj.

(r.m.)

Comment

*