“Arena Sport” nga Beogradi e sfidon Komisionin e Pavarur të Medias në Kosovë

Prishtinë, 28 shkurt 2024 – Televizioni “Arena Sport” nga Beogradi i sfidoi seriozisht Komisionin e Pavarur të Medias (KPM) në Kosovë, partnerin e vet afarist në Kosovë “Artmotion” dhe futbolldashësit kosovarë.

Të martën në mbrëmje vonë, gjatë transmetimit të ndeshjes së parë gjysmëfinale për Kupën e Mbretit në Spanjë, midis Real Sociedad-it dhe Mallorca-s, komentatori i ndeshjes, e cila u transmetua në Kosovë nga “Arena Sport”, përmes operatorit “Artmotion” nga Prishtina, nuk denjoi t’ia përmende emrin as një herë të vetme futbollistit të Mallorca-s, Vedat Muriqi.

Gjatë më shumë se 60 minutave që luajti në këtë ndeshje, Muriqi, lojtari i përfaqësueses së Kosovës, kishte shumë prekje topi, pasime, duele në tokë dhe në ajër, ndërprerje aksionesh e ndërhyrje vendimtare në mbrojtje… Au i shkaktoi disa faule dhe u faulua disa herë, u ndëshkua me karton të verdhë për ndërhyrje të palejueshme, e gjuajti penaltinë e parë dhe shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij… Por, komentatorit të “Arena Sport” nga Beogradi s’ia zuri goja as t’ia thoshte emrin, as edhe në një rast të vetëm, madje as kur ai e shënoi golin!…

Thjeshtë: Vedat Muriqi ishte emër e mbiemër i padëshiruar për komentastorin e “Arena Spot”.

Ndërkaq, Nemanja Radonjiqin, i cili u fut në lojë në minutën 106 të ndeshjes, komentatori i “Arena Sport” e prezantoi si “futbollist serb”, e lavdëroi për ndonjë gjë të mirë gjatë lojës dhe e mbrojti apo e kurseu nga kritikat për ndonjë që bëri gabim.

Kjo çasje selektive, “shpërfillëse” ndaj njërit prej aktorëve të ndeshjes së mbrëmshme Real Sociedad – Mallorka, flet më shumë se për mungesë profesionalizmi dhe për shkelje të kodit të etikës së gazetarit. Kjo dëshmon qartësisht për ndjenjën e thellë të mosdurimit të komentatorit ndaj një futbollisti shqiptar nga Kosova e mbase edhe ndaj çdo gjëje shqiptare në Kosovë.

Ndoshta ky ajkt i komentatorit të “Antena Sport” edhe do të mund të justifikohej disi sikur mbrëmë Muriqi të kishte luajtur për ekipin kombëtar të Kosovës, duke qenë se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe as kombëtaren e Kosovës. Në mediet e kontrolluara nga pushteti i Aleksandar Vuçiqit, nxënësit të kriminelëve serbë të luftës Sllobodan Millosheviq e Vojisllav Sheshel, shtrembërohet realiteti dhe censurohen faktet e provat, prandaj reporterët, gazetarët e komentatorët e tyre mund të zgjedhin të shmangin të vërtetën që të mos përplasen me pushtetin, qoftë edhe kur bëhet fjaslë për sportin. Por, ndeshja e mbrëmshme në Spanjë nuk kishte të bënte asgjë me pozicionin e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Vedat Muriqi luajti për një klub të Spanjës, një shteti që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, njësoj si Serbia e komentatorit të “Arena Sport” nga Beogradi.

Një shprehje e tillë mosdurimi ndaj shqiptarëve e komentatorit të “Arena Sport” e vë para një sprove serioze Komisionin e Pavarur të Medias në Kosovë, i cili është vënë në shënjestër të kritikave të militantëve partiakë dhe të partizanëve të kontrollit të agjencive të pavarura nga pushteti, pikërisht për shkak të një vendimi lidhur me transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë.

Pak kohë më parë, Komisioni i Pavarur i Medies vendosi të lejojë transmetimin në Kosovë të kanaleve të “Arena Sport”, transmetimi i të cilave ishte pezulluar më 3 tetor të vitet të kaluar, për shkak se në këto kanale u ishte bërë homazh tre pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve, të vrarë gjatë sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator 2023.

Militantë të partive politike, përfshirë edhe disa deputetë në Kuvendin e Kosovës, e kritikuan ashpër vendimin e KPM-së për shfuqizimin e vendimit për pezullimin e transmetimit të kalaneve të “Arena Sport”. Në Komisionin për Media të Kuvendit të Kosovës, po sikur në rrjetet sociale, ky vendim i KPM-së u cilësua madje edhe si “tradhëti kombëtare”, prandaj anëtarëve të KPM-së iu bë thirrje publike që të japin dorëheqje.

Por, KPMs e mbrojti vendimin e fundit të tij, duke shpjeguar se vendimi për rikthimin e kanaleve të “Arena Sport”, ndër të tjera, është marrë sepse kjo kompani ka kërkuar falje për këtë “gabim” dhe ka premtuar se “gabime të tilla” nuk do të përsëriten më.

Por, komentatori i ndeshjes së mbrëmshme Real Sociedad – Mallorka ashiçare e sfidoi menaxhmentin e kompanisë së tij, “Arena Sport”, por edhe menaxhmetin e platformës “Artmotion” nga Prishtina, e cila është “garant” i kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë.

E mira e së mires është që kjo sfidë të adresohet nga trupat profesionale të Komisionit të Pavarur të Medias dhe të trajtohet si çështje profesionale, e zhveshur nga petku i politikëas, ndonëse kjo është vështirë e mundur derisa as ngjarjet sportive në Kosovë dhe në Serbi nuk mund të vështrohen jashtë kontekstit politik. Kjo më së pari në Serbi.

(Për korrektësi, duhet thënë se komentatorë të tjerë të ndeshjeve të transmetuara nga “Arena Sport” në platformën e “Artmotion” kanë dëshmuar paanësi, korrektësi dhe shkallë të lartë të profesionalizmit. Unë personalisht, deri në rastin e ndeshjes së mbrëmshme Real Sociedad – Mallorka, nuk kam vënë re asnjë shenjë mosrespekti për sportistët shqiptarë nga Kosova).

(Ramadan Muçolli)