Arifi: Shqiptarët në Luginë nuk kanë mbështetje as nga Prishtina e as nga Tirana

Uashington, 15 shtator 2023 – Kryetari i komunës së Preshevës dhe kryetar i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Uashington, ka thënë se në takimet me zyrtarët amerikanë ka paraqitur shqetësimet për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Zoti Arifi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve është një ndër shqetësimet kryesore aktualisht. Ai ka thënë se kohët e fundit ka pasur disa lëvzje, por rezultatet janë zero.

“Nga viti 2020 e këndej janë hartuar disa dokumente, së pari njëherë në raportin e Departamentit të Shtetit nga viti 2021 e kemi fenomenin e pasivizimit të adresave të përmendur, nga viti 2022 e kemi edhe në raportin për të drejtat e njeriut fenomenin e pasivizimit të përmendur. Në Bashkimin Evropian vitin e kaluar kemi arritur të bëjmë një rezolutë, e cila e dënon ashpër pasivizimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, por edhe i kërkon Serbisë që të sqarojë përse bëhet kjo ndaj shqiptarëve posaçërisht. Kështu, shumëçka ka lëvizur, por rezultatet në terren janë ende zero”, ka thënë ai.

Arifi ka thënë se çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve e ka shtruar edhe në takimit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.

“Unë i kërkova edhe të dërguarit amerikan (Gabriel) Escobar që të stopohet (pasivizimi i adresave), të bëhet një moratorium i këtij fenomeni ndaj shqiptarëve dhe tash presim çfarë do të ndodhë”, ka thënë ai.

Arifi ka thënë se udhëheqja politike e shqiptarëve në Luginë të Preshevës ka kërkuar vazhdimisht që në dialogun Kosovë – Serbi të kërkohet që shqiptarët në Serbi të kenë të drejta të njëjta me serbët në Kosovë, por Kosova ka dështuar të shtyjë përpara çështjen.

“Në momentin që është pranuar marrëveshja e Ohrit, çështja e Luginës së Preshevës ka marrë fund, sepse në këtë marrëveshje nuk flitet fare për parimin e reciprocitetit dhe nuk përmendet fare Lugina e Preshevës. Kështu edhe te ndërkombëtarët nuk ka më interes që çështja e Luginës të futet në këtë dialog”, ka thënë ai.

Arifi thënë se shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk kanë mbështetje as nga Prishtina dhe as nga Tirana dhe të vetmen shpresë e kanë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne nuk kemi fuqi, nuk kemi ushtri, nuk kemi lobim… Nuk kemi as mbështetje nga Prishtina, as nga Tirana që të merremi me Beogradin. Në Beograd nuk ka vullnet. Ne jetojmë në një shtet totalitar, në një dorë të zgjatur të viteve të ’90-ta që e udhëheq këtë shtet. Të njëjtit politikanë janë duke udhëhequr Serbinë qe 30 vite. Janë këta të njëjtit që i kanë bërë luftërat në Ballkan dhe i kanë diskriminuar dhe masakruar edhe shqiptarët… E vetmja shpresë për ne janë Shtetet e Bashkuara, të clat na mbështesin në vazhdimësi me projekte por edhe me lobim. Po të mos ishin Shtetet e Bashkuara, sa për Prishtinën ne do të ishim të zhdukur”, është shprehur ai.

(r.m.)