Nga Ruben Avxhiu
Pezullimi i Rusisë nga FIFA dhe UEFA është vazhdim i masave të mëdha të marra kundër saj në mbarë botën.
Edhe vende të cilat kanë konflikte masive me Perëndimin si fjala vjen Kina, kanë mbajtur një neutralitet interesant që do t’i kishte mjaftuar Putinit, sikur përgjigjia nga Perëndimi të mos kishte qenë kaq e bashkuar dhe e fortë.
Brenda pak ditësh Putini ka humbur edhe figura si Marie Le Pen e Francës, apo Matteo Salvini i Italisë, përkrahës konservatorë në SHBA që kanë pasur simpati për të.
Erdogani i Turqisë të cilin Putini është përpjekur me kujdes ta ndajë nga NATO, duke arritur edhe një marrëveshje për blerjen e Sistemeve të Mbrojtjes Ajrore S-400 duke krijuar përçarjen më të fortë të NATO-s në histori, tani ka deklaruar se do t’ja mbyllë Rusisë ngushticat e Detit të Zi. Një fitore e madhe diplomatike për Ukrainën.
Vendet skandinave për herë të parë po shqyrtojnë anëtarësimin në NATO. Zvicra ka deklaruar se do ta braktisë neutralitetin për këtë rast.
Si humbi Rusia kështu ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare?!
Një arsye e fortë ishte zhgënjimi prej fillimit të sulmit, që Rusia këmbënguli gjatë se nuk do të ndodhte.
Të gjithë mbështetësit apo simpatizuesit e Rusisë në Perëndim e më tej e besuan Kremlinin e u bazuan në fjalën e tij. Luftuan për ditë e javë të tëra për të hedhur poshtë paralajmërimet e ukrainasve e pastaj të shumë figurave të inteligjencës amerikane e britanike se Rusia po bëhej gati për luftë.
Shumë figura në Perëndim vunë në bast reputacionin e tyre për të bindur publikun se alarmizmi ishte thjesht pjesë e prirjes për ta parë Rusinë si agresore edhe 30 vjet pas mbarimit të Luftës së Ftohtë.
Duke nisur luftën Putini nuk u tall vetëm më krerët e shteteve perëndimore me të cilët kishte biseduar gjatë, në ditët e fundit, ai la zbuluar më shumë se kurrë këtë armatë dashamirëse që për një arsye apo një tjetër i kishin dhënë besim e kishin besuar te ai.
Ky proces pati një kreshendo. Sa më shumë shtoheshin trupat në kufi me Ukrainën aq më shumë shtohej paniku dhe alarmizmi i atyre që e kanë parë rregullisht Putinin si kërcënim e po aq kërkonte spërdredhje absurde krobacia mendore për të justifikuar Putinin kaloi cakun normal. Dalëngadalë opinion publik filloi të anohej masivisht në favor të Ukrainës e me të edhe justifikuesit e Putinit.
Shumica e apologjistëve dhe simpatizantëve të tij shkuan nga garancia se Putini nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën, te argumenti që Rusia ka të drejtë të lëvizë trupat në vendin e saj pavarësisht se më shumë se gjysma e Ushtrisë Ruse ishte mbledhur në kufi të Ukrainës, te tallja e përqeshja e Bidenit që kishte thënë se Rusia do të sulmojë në datë 16, duke dëshmuar se nuk do të kishte pushtim, te ditët e para të sulmit kur po thonin se Donecku e Luhansku janë në fakt krahina pro-ruse dhe nuk quhet që Rusia ka hyrë në Ukrainë.
Në fund filluan të dorëzohen njëri-pas-tjetrit. Opinion publik filloi të anohej masivisht në favor të Ukrainës e me të edhe justifikuesit e Putinit.
Askush nuk u ndjenë më të tradhëtuar se ata që e mbrojtën më shumë kur predhat e bombardimet ruse goditën nga kryeqyteti Kijiv, deri në pjesën perëndimore të vendit. Sidomos kur fjalimi me të cilin Putini justifikoi fillimin e sulmit ishte i mbushur me marrëzira pretendimesh historike më së paku zgjidhen me armë.
Ndoshta më të hutuarit kanë qenë vetë ambasadat e misionet diplomatike të Rusisë, madje edhe propaganduesit e saj në kanalet televizive. Ekziston përshtypja se askush nuk e besonte se do të kishte luftë vërtet.
Tani edhe disa oligarkë rusë po shprehin një lloj pakënaqësie që as që do të mendohej pak ditë më parë. E vetmja mënyrë për të sheshuar pak hutinë dhe mosbesimin për ndryshimin e papritur të situatës do të kishte qenë një përparim i shpejtë ushtarak. As kjo nuk ndodhi.
Tani papritur për herë të parë në jetën e tij Putinit i ka humbur epërsia e momentit. Është kapur i papërgatitur për shkallën e gjerë të reagimeve ndërkombëtare. Të them të drejtën as shumë prej atyre që e kanë parë gjithmonë Putin si rrezik nuk prisnin këtë aleancë kaq të gjerë në përgjigje.
Frika pas kësaj është se Putini mund të mendojë se nuk ka çfarë të humbasë më dhe të zgjerojë konfliktin duke goditur drejtpërdrejt vende të NATO-s, apo duke mos shmangur më civilët e Ukrainës, e duke tundur më fort kartën bërthamore për të trembur ata që po e vënë me shpatulla për muri.
Si u shpreh një ekspert i njohur, Richard Haas, deri dje druheshim se çfarë do të thoshte për Europën dhe botën një fitore e Putinit në Ukrainë. Sot, duhet të mendojmë mirë se çfarë mund sjellë një humbje e tij.
Presidenti rus mund të ndihet sa të dojë i tradhëtuar e i zhgënjyer për vetminë e papritur të këtij dimri në mbarim, por për të e ka fajin kryesisht vetë. Mbase donte të bëhej një lloj Pjetri i Madh, por po e krahasojnë me Kim Jong-un. E riktheu Rusinë si fuqi në skenën botërore, e tani e po e izolon në mënyrë të paparë. Nga kjo situatë nuk dilet vetëm me fitore ushtarake. Sidomos jo me ato që sjellin vdekje të panumërta civilësh të pafajshëm. Ata që e mbështetën dhe e justifikuan në vite do të kërkojnë më shumë fantazi e përpjekje nga ana e tij. Për pjesën tjetër të opinionit publik, mund të mos ketë më kthim pas.