Arrestohen dy serbë të dyshuar për krime lufte në rastin e Masakrës së Padalishtës

Prishtinë, 29 tetor 2026 – Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës njoftuan se sot, më 29 tetor, janë arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Në njoftim bëhet e ditur se Z. B. dhe G.B. të cilët janë arrestuar në Osojan dhe në Cerkolez të komunës së Istogut, janë të dyshuar lidhur me masakrën e kryer në Padalishtë të komunës së Istogut, më 26 mars 1999, ku ishin vrarë 19 anëtarë të familjes Imeraj, prej dy vjeç deri në 76 vjeç.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, ka ndërmarrë veprime hetimore për një periudhë të gjatë kohore në drejtim të dokumentimit të rastit i njohur si “Masakra e Padalishtës” në Komunën e Istogut, e ndodhur më 26 mars 1999, në Komunën e Istogut”, thuhet në njoftim.

“Në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, hetuesit e Sektorit për Krime Lufte kanë ndërmarrë edhe veprime operative, në përputhje me autorizimet përkatëse, duke angazhuar njësi në terren dhe si rezultat i këtyre veprimeve, sot, më 29.10.2026 janë lokalizuar dhe arrestuar dy të dyshuar Z.B., dhe G.B. në fshatin Osojan dhe Cerkolez të Komunës së Istogut”, thuhet më tutje në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga pushteti aktual në Serbi, ka thënë se gjatë operacionit të sotëm të policisë së Kosovës në fshatrat Osojan e Cerkolez janë arrestuar tre serbë: Zhikica Belosheviq, Grujica Belosheviq dhe Obrad Tijaniq, por Prokuroria Speciale i është referuar komunikatës së lëshuar ku konfirmohet vetëm arrestimi i dy të pareve.

Lista Serbe e ka shfrytëzuar edhe këtë rast për të akuzuar autoritetet e Kosovës se po vazhdojnë arrestimin e pjesëtarëve të komunitetit serb, siç thuhet, “pa prova bindëse për fajësinë e tyre”.

Autoritetet e Kosovës kanë iniciuar një sërë rastesh që kanë të bëjnë për krime lufte kundër popullatës civile dhe kanë ngritur akuza ndaj një numri të konsiderueshm të të dyshuarve, përfshirë edhe akuza në mungesë.

Dhjetëra persona janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë prej përfundimit të luftës në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*