Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt – Murselit, njëri është bashkëshorti i viktimës

Prishtinë, 1 dhjetor 2023 – Policia e Kosovës njoftoi se dy persona janë arrestuar të premten lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt – Murselit, të kryer të mërkurën, më 29 nëntor, në Prishtinë. Raportohet se njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli.

Në njoftimin e Policisë thuhet veprimet intensive hetimore, të cilat janë ndërmarë pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në koordinim me Prokurorinë, është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.

Ndryshe, Policia në njoftimin e saj ka konfirmuar se me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, ka pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

“Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.

“Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se njëri nga dy të arrestuarit është bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli.

Sipas këtyre burimeve, i dyshuari për kryerjen e vrasjes ka pranuar para prokurores së rastit se ai është paguar nga Naim Murseli për vrasjen e gruas së tij.

“Betimi për Drejtësi” e ka kontaktuar edhe prokuroren Besa Limani për të mësuar më shumë detaje lidhur me rastin, por ajo ka thënë se tash për tash nuk mund të japë më shumë informacione.

Varrimi i viktimës Liridone Ademaj – Murselit është bërë sot (e premte) në Cërmjan të Gjakovës.

Liridona Ademaj – Murseli, rreth 30-vjeçare, u vra të mërkurën mbrëma, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht u tha se ajo u vra në veturën e saj, gjatë një grabitjeje të armatosur. Në momentin e “grabitjes”, në veturë gjendeshin edhe bashkëshorti dhe dy fëmijët e saj, por ata të tre kanë arritur të dalin nga vetura dhe të ikin nga vendi i ngjarjes.

(r.m.)