Arrestohen në kufirin Kosovë – Serbi dy të dyshuar për trafikim të 18 emigrantëve

Prishtinë, 25 gusht 2025 – Policia e Kosovës njoftoi se dy burra janë arrestuar të dielën në vendkalimin kufitar mes Kosovës e Serbisë në Jarinjë, të cilët dyshohen për trafikim me emigrantë.

Policia tha se gjatë kontrollit në një autobus të linjës Mitrovicë–Beograd ka zbuluar 18 emigrantë të paligjshëm nga vende të Azisë Jugore dhe Afrikës.

“Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia tha se ka arrestuar pronarin e kompanisë së autobusëve dhe shoferin e autobusit që po bartte emigrantët. Ata janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje.

Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet G. A., dhe B. D., dyshohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e transportit të emigrantëve në mënyrë të paligjshme.

Hetimet e para dhe marrja në pyetje e të dyshuarve tregojnë se ka pasur “përpjekje të qëllimshme për kontrabandë me emigrantë”.

Sipas njoftimit, pesë shtetas palestinezë kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23 gusht; gjashtë shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova; dhe shtatë shtetas egjiptianë kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Policia theksoi se emigrantët “janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës”, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë kundër një burri për veprën penale kontrabandë me emigrantë.

Sipas rregullave në Kosovë, një emigrant mund të qëndrojë në vend vetëm 15 ditë, pa u lajmëruar tek autoritetet e rendit.

Pas 15 ditësh, ai duhet të aplikojë për statusin e azilkërkuesit – në të kundërtën duhet të largohet nga territori i Kosovës. Për ta fituar statusin e azilit, duhen disa muaj kohë.

Prej vitit 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në qendër transiti për personat që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe që synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, por shumica e tyre e përdorin këtë shtet vetëm si transit për në BE.

Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuar për trafikim me emigrantë.

(r.m.)