Arrestohen në Prizren 109 të dyshuar për manipulim të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Prizren, 23 janar 2026 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, njoftoi të premten se 109 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Të ndaluarit janë kryesisht komisionerë të partive politike, por në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë. Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, për presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Kryeprokuroi Kryeziu, në një konferencë shtypi, tha se të gjitha manipulimet janë kryer në Qendrën Komunale të Numërimit dhe se janë prekur votat e kandidatëve për deputetë brenda subjekteve politike. Ai tha se një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjitha këto vota po të mos kishte kompromis të të gjithë komisionerëve, atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë politike më të mëdha në Kosovë, sepse sistemi është i tillë që komisionerët në një mënyrë janë mekanizëm kontrollues”, tha Kryeziu.

Në Qendrën Komunale të Numërimit janë shtuar 40.497 vota ndërsa janë hequr 27.520 vota.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Ai tha se vetëm një kandidati i janë shtuar mbi 6.000 vota.

Kryeziu bëri të ditur se është konstatuar se vetëm në një vendvotim, apo në një klasë, nuk ka pasur vota të keqpërdorura.

Ai tha se disa komisionerë që kanë bashkëpunuar me prokurorinë kanë treguar se kush dhe si u ka bërë presion dhe se kush ka dhënë ryshfet.

Kryeprokurori Kryeziu tha se ende asnjë kandidat për deputet nuk është intervistuar, pasi Prokuroria nuk ka prova për ndjekjen e tyre, por shtoi se disa prej tyre mund të ftohen në cilësinë e të dëmtuarve.

“Deri në këtë fazë nuk kemi informacione që e involvojnë ndonjë kandidat për ndërhyrje. Por, edhe kandidatët do të dëgjohen në Prokurori. Prokuroria së paku do t’i dëgjojë si palë të dëmtuara. Do bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë prova për secilin”, theksoi ai.

Por, shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorime dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri. Edhe partitë politike janë përpjekur ta shpërlajnë fytyrën e tyre, ndërsa përgjegjësinë për manipulime ia kanë ngarkuar Komisionit Qendror Zgjedhor, si administrator i procesit zgjedhor, përfshirë edhe procesin e numërimit të votave.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Luan Ibrahimi, tha se aksioni në Prizren është një ndër aksionet më të mëdha të realizuara deri më tash dhe se ky është numri më i madh i të ndaluarve gjatë një aksioni në rajonin e Prizrenit. Për shkak të numrit të lartë të të ndaluarve, disa prej tyre janë dërguar edhe në qendrat e ndalimit në Prishtinë.

“Ne jemi përgatitur, jemi mobilizuar dhe, në koordinim me Prokurorinë edhe me drejtorinë rajonale, siç shihet, ia kemi arritur qëllimit që t’i arrestojmë personat që kanë bërë keqpërdorime me vota, si edhe personat që kanë ndikuar, kanë kërcënuar ose kanë dhënë apo kanë marrë ryshfet në zgjedhje”, tha ai.

Në aksion kanë marrë pjesë katër prokurorë të shtetit nga Departamenti i krimeve të rënda dhe afër 200 zyrtarë policorë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se e ka autorizuar Policinë e Kosovës që në komunën e Malishevës të mbledhë informacione e prova që lidhen me dyshimet për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë dhe t’i identifikojë personat përgjegjës.

Aksioni në Prizren u ndërmor pas dyshimeve se në qendrën e numërimit të votave për këtë komunë ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike. Këto dyshime bënë që Komisioni Qendror të Zgjedhjeve ta marrë vendim për rinumërimin e plotë të votave.

Në fillim të muajit, Komisioni Qendror të Zgjedhjeve konstatoi mospërputhje të numrit të votave të kandidatëve për deputetë dhe, pas një hetimi fillestar, mori vendim për rinumërim të pjesshëm për shkak se dallimet në vota ishin të mëdha.

Për këtë arsye, Komisioni Qendror të Zgjedhjeve i shkarkoi përfaqësuesit e partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ndërsa prokuroria filloi të mbledhë informacione lidhur me dyshimet për manipulime me vota.

Në Kosovë manipulimi i votave neë zgjedhje është vepër penale që dënohet me burgim. Por, organizata joqeveritare ÇOHU, e cila e bëri një hulumtim, tha se mbi 90 për qind e rasteve të manipulimeve zgjedhore kanë përfunduar me dënime me kusht ose me gjoba.

(r.m.)