Arrestohen nga Specialja tre të dyshuar për pengim të drejtësisë, mes tyre edhe ish-drejtori i AKI-së

Prishtinë / Hagë, 5 dhjetor 2024 – Tre persona janë arrestuar të enjten në mëngjes në Kosovë, me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar të Kosovës me seli në Hagë.

Mediet në Kosovë raportojnë për arrestimin e ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të komunës së Malishevës, Isni Kilaj dhe vëllait të dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliut, Fadil Fazliu.

Raportohet se po me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar është bastisur edhe shtëpia e ish-zëvendës kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi të enjten se është duke kryer operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet për veprën penale “kundër administrimit të drejtësisë”. Ajo tha se operacionet janë mbështetur nga EULEX-i.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.

Klan Kosova raporton se Smakaj, Kilaj e Faziu janë dërguar në mbajtje në hapësirat e EULEX-it në Prishtinë, prej nga pritet të transferohen në njësinë e paraburgimit në Hagë.

Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga viti 2009 deri në vitin 2015. Ai kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar në mandatin e tij të dytë në këtë detyrë.

Isni Kilaj ishte arrestuar edhe në nëntor të vitit 2023 si i dyshuar për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë. Në maj të këtij vitit ai u lirua me kusht, pasi pagoi një dorëzani prej 30.000 eurosh. Në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ndryshoi aktakuzën ndaj Kilajt, por nuk dha hollësi për ndryshimet e bëra. Asokohe, SPO-ja tha se ndër arsyet e lirimit me kusht të Kilajt ishte edhe vendimi i prokurorëve për të paraqitur aktakuzë të ndryshuar ndaj tij.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj janë dënuar për pengimin e drejtësisë.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Aktualisht në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke u zhvilluar procesi gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë këta janë deklaruar si të pafajshëm.

(r.m.)