Arrestohen tri të dyshuara për dhunë ndaj një të moshuare në Pejë

Prishtinë, 2 nëntor 2022 – Policia e Kosovës arrestoi të mërkurën tri punonjëse të një shtëpie kujdesi ndaj të moshuarve në qytetin e Pejës rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës, nën dyshimet për dhunë fizike ndaj një gruaje të moshuar.

Arrestimet u kryen pasi në rrjetet sociale u shpërnda një video regjistrim ku shihet njё punonjëse ndërsa ushtron dhunë ndaj një gruaje të moshuar që ishte nën përkujdesje.

“Tё dyshuarat janë duke u intervistuar nga hetuesit … dhe nё bashkërendim tё plotë me prokurorin e shtetit do të merren veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Qendra për kujdes ndaj të moshuarve “Orenda” në Pejë, njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale se ka pezulluar nga puna katër infermiere lidhur me këtë rast.

“A.P suspendohet nga puna për veprën e kryer, ndërsa A.R, R.K, dhe G.N sepse kanë qenë në ndërrim me të dhe nuk e kanë lajmëruar rastin te përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

Video regjistrimi i shpërndarë në rrjetet sociale, nxiti reagime në shkallë të gjerë të institucioneve e veprimtarëve humanitarë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një komunikate për media e dënoi dhunën ndaj të moshuarës ndërsa ftoi organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë rast me përparësi.

“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë”, shkroi presidentja Osmani.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri thirrje për thellim të hetimeve.

“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive”, shkroi ajo në rrjete sociale.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës kërkoi nga ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira në këtë rast.

“Gjithashtu, Rrjeti i Grupeve t Grave kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – Departamenti për Politika Sociale dhe të Familjes, që të largojë licencën e operimit të qendrës Orenda”, thuhet në reagimin e këtij rrjeti.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)