Shkup, 8 tetor 2025 – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se gruaja e mjekut Zekirja Shainit, është arrestuar si e dyshuar për përfshirje në rastin e sulmit të armatosur ndaj bashkëshortit të saj.
Zekirja Shaini nga fshati Sllupçan i Likovës, kandidat i AKI-së për zgjedhjet lokale në Likovë, u plagos të martën pak pas mesditës në Kumanovë, derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij. Autori i sulmit ishte i maskuar.
“Më 07.10.2025, punonjës policie nga Stacioni Policor i Kumanovës arrestuan A.A. (43) nga Tetova, për arsye të bazuara në dyshimin se ajo është e përfshirë në tentativën për vrasje të bashkëshortit të saj, Z. Sh. (43) nga fshati Sllupçan, Likovë. Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, gjashtë persona janë thirrur për intervistim në Stacionin Policor të Kumanovës, ndërsa në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova, është kryer bastisje me urdhër gjyqësor”, njoftoi Ministria.
Në njoftim bëhet e ditur se është identifikuar edhe autori i sulmit me armë, i cili gjendet në arrati.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër A.A. do të parashtrohet kallëzim adekuat penal, ndërsa kundër L. F. (36) nga Gostivari, i cili dyshohet për tentativë vrasjeje dhe gjendet ende në arrati, gjithashtu do të paraqitet kallëzim penal pas konsultimit me Prokurorinë Themelore”, thuhet në njoftim.
Mediet në Maqedoninë e Veriut raportuan se mjeku Zekirja Shaini, i cili kishte plagë në parakrah dhe në këmbë, është në gjendje shëndetësore stabile dhe është liruar nga spitali.
(r.m.)