Arrestohet në Abu Dhabi Dritan Gjika, kreu i mafies shqiptare në Ekuador

Abu Dhabi, 26 maj 2025 – Dritan Gjika, i njohur si kreu i mafies shqiptare në Ekuador, është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministria e Brendshme e Ekuadorit, me anë të një postimi në platformën X, ka njoftuar se arrestimi i Gjikës është bërë gjatë një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar sot (26 maj), me qëllim të ekstradimit në Ekuador.

“Më 26 maj 2025, në një operacion ndërkombëtar të koordinuar nga Njësia Kombëtare e Interpol Ekuadorit, në koordinim me homologun e saj në Abu Dhabi dhe me mbështetjen e programit PAcCTO 2.0, u arrit të bëhet arrestimi me qëllim të ekstradimit të 𝗗𝗿𝗶𝘁𝗮𝗻 𝗚𝗷𝗶𝗸ës, i cili i ka dy njoftime të kuqe të Interpolit, për trafik droge, për pastrim parash dhe për krim të organizuar”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve ekuadoriane, shqiptari 47-vjeçar e drejtonte një organizatë kriminale që vepronte në Ekuador dhe në Spanjë, duke trafikuar sasi të mëdha të drogave në Amerikë dhe në Evropë.

Ministria e Brendshme e Ekuadorit, në një deklaratë për mediet, tha se Dritan Gjika “është njëri nga personat më të kërkuar në vend” për trafikim droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.

Në shkurt të vitit 2024, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit e quajti Gjikën si udhëheqësin e operacioneve të mafias shqiptare në vend, por ai nuk arriti ta nxirrte para drejtësisë, sepse Gjika ishte arratisur.

Në janar të këtij viti, një gjykatë ekuadoriane kundër korrupsionit i dënoi me 17 vjet burg tetë persona që ishin pjesë e një organizate kriminale të lidhur me mafian shqiptare.

(r.m.)

Comment

*