Arrestohet në Kosovë Gëzim Çela, “baroni i drogës” në Shqipëri

Prishtinë, 8 dhjetor 2023 – Gëzim Çela, i njohur në Shqipëri si “baroni i drogës”, është arrestuar të premten në Kosovë.

Narkotrafikanti. i cile kishte gjetur strehim në Kosovë, ishte person në kërkim në Shqipëri që prej muajit gusht të këtij viti, kur kishte arritur t’i shmangej operacionit “Flakë në det”.

Për arrestimin Çlelës ka njoftuar Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla.

“Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri”, ka shkruar Balla në Facebook.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Gëzim Çela është arrestuar në një fshat të kominës së Ferizajt.

“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me autoritetet policore të Republikës së Shqipërisë, sot më 08.12.2023, në një fshat në Ferizaj, kanë arrestuar një të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim bëhet e ditur se i dyshuari në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova.

“Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova”.

“Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së”, bëhet e ditur mes tjerash.

Për arrestimin thuhet se janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në Ferizaj, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë.

“Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.  Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar”, përfundon njoftimi i policisë.

(r.m.)