Prishtinë, 4 prill 2026 – Prokuroria Speciale e Kosocvës njoftoi të shtunën për arrestimin e një të dyshuari për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ’99.
Prokuroria, e cila e identifikoi të dyshuarin vetëm me inicialet A.D., njoftoi se ai dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Ivajë të komunës së Kaçanikut dhe në fshatrat përreth, por nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit apo rreth krimeve për të cilat dyshohet ai.
Prokuroria nuk tregoi as ku është arrestuar i dyshuari, por tha se gjatë operacionit të arrestimit të tij ka gjetur dhe sekuestruar një armë, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjuetie ajrore dhe një uniformë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një reagim lidhur me rastin, tha se i arrestuari është polic në pension nga një fshat i Prizrenit. Sikur edhe në rastet tjera, ajo e quan arrestimit si “akt të motivuar politikisht”.
“Prishtina vazhdon të përndjekë popullin serb nga Kosova, siç dëshmohet nga arrestimi i sotëm i A.D. nga fshati Grnçarë në rajonin e Anamoravës së Kosovës, një ish-polic i pensionuar, 26 vjet pas konfliktit”, thuhet në reagim.
Arrestimi i tij vjen pak javë pasi një gjykatë në Prishtinë i dënoi me burgim dy ish-pjesëtarët të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ‘99.
Më 18 mars në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Zoran Kostiqi u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Milloviqin me 7 vjet burgim.
Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar disa të dyshuar dhe kanë ngritur aktakuza për krime lufte në Kosovë.
(r.m.)