Prishtinë, 14 prill 2026 – Policia e Kosovës njoftoi se sot, në fshatin Soçanicë të Leposaviqit, është arrestuar një i dyshuar për krime lufte në Kosovë. I arrestuari, shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb, është i dyshuar për veprën “Krime lufte kundër popullatës civile.
“Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës me dt.14.04.2026 në fshatin Soqanicë të Leposaviçit ka arrestuar të dyshuarin mashkull shtetas kosovar të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës Krime Lufte Kundër Popullatës Civile”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim thuhet se i arrestuari ka qenë pjesëtar i Policisë së Serbisë. Ai dyshohet se në muajin mars të vitit 1999, bashkë me të tjerë, ka marrë pjesë në një operacion të forcave policore e ushtarake serbe -ushtarak në dy lokacione në Skënderaj, ku kanë kryer krime lufte, përfshirë vrasjen e 15 civilëve shqiptarë dhe i kanë zhdukur 16 civilë shqiptarë të tjerë.
“I dyshuari i lartcekur bazuar në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marrë pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta pesëmbëdhjetë 15 civilë shqiptar, si dhe zhdukur gjashtëmbëdhjetë 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj”, thuhet në njoftim.
I arrestuari është intervistuar në prani të avoktatit dhe, me aktvendim të prokurorit të rastit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia, sipas praktikës së deritashme, nuk e ka publikuar identitetin e të arrestuarit.
Portali në gjuhën serbe Kossev, e prerzantoi atë me inicialet D.P. Sipas këtij portali ai ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në nëntor të vitit 2022, kur serbët në veri i braktisën institucionet e Kosovës në mënyrë kolektive.
(r.m.)