Arrestohet në Kosovë zyrtari i Qeverisë së Serbisë që e krahasoi UÇK-në me Hamasin

Prishtinë, 18 korrik 2025 – Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është arrestuar të premten nga Policia e Kosovës në pikën kufitare me Serbinë në Bërnjak.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Popoviqi është arrestuar për shkak të një fjalimi që e ka mbajtur gjatë ditës në Hoçë të Hadhe të komunës së Rahovecit, ku e ka quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste”, ndërsa luftën e saj e ka krahasuar me veprimet e “Hamasit” në Rripin e Gazës.

“Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, ka mbajtur sot një fjalim në Rahovec. Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore. Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tone”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Popoviq, në fjalimin e tij e ka akuzuar faktorin ndërkombëtare në Kosovë se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e konsideron organizatë çlirimtare në vend se ta dënonte.

“Përkundër pranisë së forca ndërkombëtare dhe hetuesve të UNMIK-ut, EULEX-it dhe të Tribunalit të Hagës ende nuk ka të gjykuar dhe të dënuar. Përkundrazi UÇK-në e cilësojnë organizatë çlirimtare dhe pjesëtarët e saj luftëtarë për liri”, ka thënë ai.

“Serbët kanë pësuar këtu, në rajonin e Rahovecit, në Kosovë e Metohi, sepse këtu janë vendës, së i kanë rrënjët këtu dhe nuk kanë lejuar që dikush t’i shpallë ardhacakë e okupatorë dhe t’i dëbojë prej këtu”, është shprehur ai.

Në mbyllje trë fjalës së tij, Popoviq ka thënë se detyrë e Qeverisë së Serbisë të përpiqet që “Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe, që këtu të ndërtohen shtëpi dhe shkolla serbe, që të lindin fëmijë serbë, të ekzsitojnë institucionet serbe”.

Ministri Sveçla i ka krahasuar deklaratat e Popoviqit me ato të kohës së Millosheviqit.

“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, ka thënë ai.

“Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, ka theksuar Sveçla.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Popoviqit në Kosovë.

“Ky është mentaliteti i vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal.

Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri” thuhet në reagimin e OVL-UÇK.

(r.m.)