Arrestohet në Mal të Zi një i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Podgoricë, 5 tetor 2023 – Policia e Malit të Zi e ka arrestuar të enjten një shtetas kosovar me iniciale M.V., nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Gjykata e Lartë në Podgoricë ia ka caktuar atij masën e paraburgimit ekstradues.
Ai kërkohet nga Interpoli përmes UNMIK-ut, për shkak të përfshirjes në një vepër penale, sipas Drejtorisë së Policisë.
Më 25 shtator, policia malazeze e arrestoi një shtetas të Serbisë me inicialet M.V., 61 vjeç, nën dyshimin se kishte kryer të njëjtin krim lufte në vitin 1999.
Pas kësaj, një nga liderët e Frontit Demokratik pro-rus dhe pro-serb të shpërbërë së fundmi, Milan Knezheviq, i bëri thirrje qeverisë teknike të Dritan Abazoviqit që të mos marrë pjesë në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga Kosova.
“Kjo do ta destabilizojë më shumë situatën tashmë të keqe politike në Mal të Zi,” tha Knezheviq.
Ai u bëri thirrje të gjithë serbëve dhe malazezëve të shpërngulur që ndodhen në Mal të Zi ta kontaktojnë partinë e tij, në mënyrë që t’u ofrohet çdo lloj ndihme dhe mbrojtje.
Knezheviq tha se në bazë të kërkesës së Prishtinës, dy serbë të zhvendosur në Mal të Zi – Zhivko Vuksanoviq dhe Momçilo Bulatoviq – u arrestuan për krime të dyshuara lufte pas dy dekadash e gjysmë.
Ai i vlerësoi arrestimet e këtyre personave si “terror ndaj popullit serb që po tenton të përhapet në Mal të Zi”.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.
Në vitin 2018, ky mision ka dorëzuar dokumente në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
(REL)