Arrestohet në Marok i dyshuari për vasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin

Tiranë, 8 maj 2023 – Policia e Shqipërisë njoftoi se Ruben Saraiva, 28-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Sëngjin është arrestuar në Marok. Tani pritet që ai të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Në lidhje me këtë ngjarje, deri më tani janë arrestuar edhe tre persona: Edmond Haxhia, i dyshuar si porositës i vrasjes, dhe dy shtetas britanikë që dyshohet se ishin informatorë të portugezit, i cili dyshohet se e ka kryer vrasjen.

Njoftimi i policisë:

Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.

Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.

(r.m.)