Arrestohet në Serbi një serb nga Kosova, i dyshuar si “spiun të shqiptarëve”

Prishtinë, 28 korrik 2025 – Një shtetas i Kosovës, pjesëtar i komunitetit serb, është Arrestuar të hënën nga autoritetet serbe të sigurisë.

Mediumi serb në Kosovë “Kosovo Online” njoftoi se Sasha Gjorgjeviq nga fshati Jazhincë i komunës së Shtërpcës është arrestuar të hënën në vendkalimin kufitar me Kosovën, në Merdar, nga pjesëtarët e agjencisë serbe të inteligjencës (BIA) dhe pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dyshimin se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë.

“Kosovo Online” e ka publikuar edhe një videoregjistrim të operacionet të arrestimit, gjë që shpie se arrestimi ishte planifikuar dhe organizuar qysh më parë. Nw video shihet se Gjorgjeviq është pritur nga pjesëtarët e agjencisë serbe të inteligjencës dhe të policisë serbe, të armatosur me armë të gjata, dhe është arrestuar sapo ka kaluar në territorin e Serbisë.

Sipas “Kosovo Online”, Gjorgjeviq, i cili punon në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, dyshohet se “një periudhë të gjatë kohore ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë – Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) përmes Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), me detyrë të së cilës ka kryer veprime të drejtuara kundër interest të komunitetit serb në Kosovë dhe të Serbisë në atë rajon, si edhe në planin e mbledhjes së të dhënave për pjesëtarët e strukturave të sigurisë serbe”.

Në njoftim thuhet se shërbimet serbe “kanë vërtetuar se Gjorgjeviqi ka qenë në kontakt me një pjesëtar të AKI-së nga Ferizaj, i cili ka qenë lidhje me SHISH-in, përndryshe ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili ka qenë përgjegjës për mbulimin e komunitetit serb në zonën e Shtërpcës, ka mbledhur informacione rreth përfaqësuesve me ndikim të komunitetit serb në Kosovë, qëndrimit të udhëheqjes shtetërore të Serbisë, aktiviteteve të politikanëve serbë dhe serbëve autoritativë në atë zonë, si edhe pjesëtarëve të shërbimeve të sigurisë serbe, BIA-s, MPB-së dhe Ushtrisë së Serbisë.

Sipas shërbimeve serbe të sigurisë, për shërbimet e tij, Gjorgjeviq “ka marrë para nga shqiptarët”

Gjorgjeviqit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe ndaj tij do të bëhet kallëzim penal në prokurorinë kompetente, siç thuhet, “në bazë të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të spiunazhit”.

(r.m.)