Arrestohet në Shqipëri turku i kërkuar për mashtrim prej mbi 2 miliard dollarësh

Tiranë, 30 gusht 2022 – Në Shqipëri, sot ka përfunduar në pranga turku Faruk Ozer, 28 vjeçar, i cili ishte në kërkim në Turqi prej më shumë se një viti. Ozer ishte themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, e cila e mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliard dollarësh nga më se 391 mijë investitorë.

Policia shqiptare njoftoi se Ozer është arrestuar në zonën e Himarës, ku e kishte marrë me qira një vile, në njërin nga komplekset luksoze në brigjet e detit Jon. Atij i jjanë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash dhe materiale të tjera, të cilat do të përdoren si prova materiale.

Arrestohet në Himarë biznesmeni turk i arratisur me 2 miliardë euro kriptomonedha

Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

I riu turk kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se të viheshin në lëvizje autoritetet e Turqisë. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët kishin lexuar një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit, siç thuhej, “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Ky njoftim, i kishte alarmuar ata, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre.

Më 23 prill 2021, autoritetet turke i arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, ndërsa disa të tjerë u shpallën në kërkim.

Kamerat e sigurisë në aeroportin e Stambollit e kishin fiksuar 28-vjeçarin Ozer që po largohej nga vendi me aeroplanin e linjës për në Tiranë. Autoritetet turke kërkuan menjëherë ndihmën e homologëve në Shqipëri. Ministri i Brendshëm i Turqisë bisedoi personalisht në telefon me homologun e tij shqiptar Bledi Çuçi. Policia shqiptare arriti të zbulonte hotelin ku Ozer ishte vendosur pas mbërritjes në Tiranë, por ndërkohë ai ishte larguar nga ai hotel. Policia shqiptare ndrmori edhe disa operacione të tjera për kapjen e tij, në Tiranë dhe në qytete të tjera, por ato përfunduan pa sukses.

Përpara se të shkonte në zonën bregdetare të Himarës, i riu turk mësohet se ka jetuar në një shtëpi me qira në zonën e Elbasanit. Policia kishte rënë në gjurmët e tij së paku dy javë më parë. Sot ajo i shoqëruar dhe dy shtetas shqiptarë, banues në Durrës, për të sqaruar lidhjet e tyre me Ozerin.

Faruk Ozer kishte arritur të mashtronte dhjetra mijëra persona, falë një fushate publicitare masive për blerjen e kriptovalute Dogecoin, me rreth një të katërtën e çmimit, duke premtuar, ndër të tjera, edhe bonuse të ndryshme, përfshirë edhe vetura luksoze.

Shumë prej investitorëve ishin joshur edhe nga mundësia për të investuar në monedhën turke “lira”, e cila ishte zhvlerësuar në minimumin e saj historik nëraport me euron dhe dollarin.

(r.m.)